Detaje nga atentati në Tiranë, autori e priste 49-vjeçarin për ta ekzekutuar

Shqipëria

Detaje nga atentati në Tiranë, autori e priste 49-vjeçarin për ta ekzekutuar

Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 09:17
Edmond Papa

Mbrëmjen e djeshme në Tiranë humbi jetën 49-vjeçari, Edmond Papa si pasojë e një atentati.

Autori i ngjarjes duket se e kishte pritur viktimën për ta ekzekutuar.

Papa ndodhej në Tiranë bashkë me nënën e tij për disa vizita mjekësore. Viktima po qëndronte të banesa e vëllait të tij në Selitë, dhe kishte zbritur poshtë pallatit për të konsumuar kafe.

Vrasësi, i cili e priste aty pranë, siç sqarojnë burimet policore, shikonte të gjitha lëvizjet e Edmond Papës.

Sapo 49-vjeçari hyri brenda lokalit, edhe vrasësi shkoi brenda ambienteve të këtij biznesi. Ai iu afrua deri pranë tavolinës dhe e qëlloi mbi 6-7 herë me pistoletë.

Më pas u largua në këmbë nëpër rrugica. Nga kqyrja e kamerave të sigurisë, burime nga grupi i hetimit thonë se vrasësi kishte ardhur në këmbë dhe u largua po në këmbë. Ai mbante në kokë një kapuç, çka për momentin është i paidentifikueshëm.

Dëshmitarët okularë i treguan policisë se 49-vjeçari iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit që kishte në tavolinë.

Dyshimet janë se atentatori është ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar nga vendngjarja.

Edmond Papa u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku ndërroi jetë më vonë për shkak të plagëve të rënda. 49-vjeçari jetonte prej disa kohësh në Britani të Madhe. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite burg në Greqi për trafikim të lëndëve narkotike. Viktima gjithashtu zotëronte disa prona në Ksamil, si dhe hotelin Blu Sky në Sarandë. Lidhur me këtë fakt policia po heton nëse ka pasur konflikte së fundmi. Ndërsa një tjetër pistë është ajo e aktivitetit kriminal jashtë vendit, për trafik droge.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat