Pas rrëzimit të propozimeve, Kadilli thirrje kryesisë së PD

Shqipëria

Pas rrëzimit të propozimeve, Kadilli thirrje kryesisë së PD

Më: 14 korrik 2021 Në ora: 16:25
Fatbardh Kadilli

Pas rrëzimit të propozimeve për ndryshimet statutore në PD, ka reaguar anëtari i kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli.

Sipas tij, debati për ringritjen e PD nuk mbyllet me vendime antistatutore të Komisionit Statutor.

“Sot Komisioni ka vendosur se cilat nga ndryshimet që janë propozuar duhet t’i përcillen Kuvendit Kombëtar. Ky është tagër i Kryesisë dhe jo i Komisionit.

Komisioni për Ndryshimet Statutore në PD sot ka vepruar në kapërcim të kompetencave dhe të misionit të vet. Statuti parashikon qartë që të drejtën për të propozuar ndryshime statutore e ka vetëm Kryesia dhe 1/4 e Këshillit Kombëtar. Komisioni jep mendim.

Propozimet e mija që burojnë nga Manifesti Politik për ringritjen e PD ia paraqita për dhënie opinioni Komisionit, bazuar në autorizimin e mbledhjes së fundit të Kryesisë”, është shprehur Kadilli në një reagim në rrjetet sociale.

Ai më tej shkruan se Komisioni nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi edhe të rrëzojë propozimet.

“Ky vendim i shumicës së anëtarëve të Komisionit sot dëshmon qartë vijimësinë e mos reflektimit për domosdoshmërinë që ka sot PD për të ndryshuar thellësisht, për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha që ka përballë opozita.

Me qëndrimin e sotëm nga komisioni synohet të mbyllet debati i domosdoshëm për një Parti më të madhe se kryetari, për një Parti më të madhe se vetvetja, për një parti që frymëzon.

Kryesia ka neser shancin që me guxim dhe përgjegjshmëri politike të marrë vendimet që presin demokratët.

Kuvendi Kombëtar duhet të shërbejë për çeljen e proceseve politike dhe jo për mbylljen e tyre”, ka shkruar Kadilli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat