Meta në alarm nga shkarkimi, “entourage” i presidentit nis sulmet ndaj Kushtetueses dhe Tushës para nisjes së gjykimit

Shqipëria

Meta në alarm nga shkarkimi, “entourage” i presidentit nis sulmet ndaj Kushtetueses dhe Tushës para nisjes së gjykimit

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 08:26
Gjykata Kushtetues

Presidenti Ilir Meta duket se i trembet një vendimi pro shkarkimit të tij nga Gjykata Kushtetuese. Që kur kjo gjykatë nisi të funksionojë, sulmet dhe presionet e tij kanë ardhur në rritje. Kuvendi e shkarkoi kreun e shtetit dhe tashmë fjalën finale e ka Kushtetuesja. Por duket se Meta i trembet një lëvizje të tillë dhe ka intensifikuar goditjet ndaj anëtarëve të kësaj gjykate dhe veçanërisht ndaj kryetares në detyrë Vitore Tusha. Sulmi i parë i Metës erdhi kur Kushtetuesja rrëzoi KLSH-në mbi ligjin e financimit të pushtetit vendor.

Meta i dërgoi një letër Kushtetueses ku e kundërshtonte vendimin. Para se të shqyrtohej çështja e zgjedhjeve vendore, Meta reagoi sërish duke i dërguar mesazhe Kushtetueses se nuk duhet të pranojë “zgjedhje moniste”, siç i quante ai. Por ditën e fundit Kushtetuesja dhe kryetarja Tusha janë në një presion të vazhdueshëm. Fillimisht ishte Aleanca për Teatrin që po e sulmonin lidhur me një takim me ambasadorin Soreca, por tashmë në sulm janë hedhur dhe të besuarit e presidentit. Ka qenë Petrit Vasili që ka sulmuar Vitore Tushën dhe ambasadorin Luigi Soreca. Lëvizjet e presidentit dhe të LSI-së duket se janë sinjale që kreu i shtetit i trembet shkarkimit, por dhe po ashtu tregojnë se Vitore Tusha i ka dalë nga rreshti.

Qëndrimi kundër i Vasilit

Përmes një reagimi në rrjete sociale, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka sulmuar ambasadorin Soreca, por dhe Vitore Tushën. Ai i ka marrë të mirëqena pretendimet e artistëve se ambasadori i BE ka ndikuar për vendimin mbi shembjen e teatrit. “Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë varësi as nga partitë politike dhe arsyeja e ekzistencës së saj është që të vigjilojë mbi kushtetutshmërinë e vendimeve, që qeverisja qendrore dhe lokale marrin pavarësisht nga ngjyra e partisë, që i drejton. Asnjë gjyqtar nuk është kurrsesi i partisë dhe ka yll polar vetëm Kushtetutën dhe asnjë program apo statut partie. Por ndërhyrja e vazhdueshme dhe e paligjshme e diplomatëve të huaj në Gjykatën Kushtetuese është veprimi më skandaloz, që mund të kryhet”, tha ai.

Po ashtu ai ka sulmuar edhe ambasadorin e BE. Sipas Vasilit, asnjë ambasador shqiptar nëpër botë as guxon të mendojë e jo më të komunikojë me Gjykatën Kushtetuese të vendit ku ata shërbejnë. “Ndaj Gjykata Kushtetuese në respekt të Kushtetutës të refuzojë të tilla takime e komunikime, që vetëm hedhin hije të errëta mbi integritetin e saj dhe të vendimeve që ajo merr. Gjykata Kushtetuese është e shqiptarëve sot dhe në jetë të jetëve. Nëpunësit diplomatikë kanë interes parësor dhe të patjetërsueshëm interesin e vendeve të tyre dhe të Kushtetutës së tyre e jo tonës, ndaj edhe do të vijnë e do të ikin pa fund ashtu siç ka ndodhur dhe do të ndodhë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat