Basha: Beogradi spastrim etnik në Medvegjë, miratojmë rezolutën për krimet serbe sapo të vijmë në pushtet

Shqipëria

Basha: Beogradi spastrim etnik në Medvegjë, miratojmë rezolutën për krimet serbe sapo të vijmë në pushtet

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 21:16
Lulzim Basha

Basha takon n/kryetaren e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të Preshevës dhe Medvegjës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pritur sot në një takim nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës si edhe përfaqësues të Preshevës dhe Medvegjës.

Gjatë këtij takimi u ngit edhe shqetësimi për fshirjen nga Serbia të adresave në Luginën e Preshevës.

Basha tha se ky është një spastrim i pastër etnik nga Serbia dhe se ‘Kjo çështje duhet trajtuar me prioritet, sepse nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të ndryshojë struktura etnike e Luginës së Preshevës.’

Pata kënaqësinë të prisja sot nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci, anëtarin e Asamblesë në Komunën e Medvegjës, Muharrem Salihun, Alban Salihun nga Forumi Ekonomik i shqiptarëve në Serbi dhe Sami Salihun nga Asambleja e Preshevës.

Një vend të veçantë zuri në këtë takim procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cila është më masive në Medvegjë, por po shtrihet me shpejtësi edhe në Preshevë dhe Bujanovc.

Kjo çështje duhet trajtuar me prioritet, sepse nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të ndryshojë struktura etnike e Luginës së Preshevës.

Ajo çfarë po bën Serbia është spastrim i pastër etnik.

Shqipëria ka humbur një mundësi gjatë drejtimit të OSBE-së, për ta trajtuar këtë çështje tejet të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët në këtë mënyrë humbasin çdo të drejtë.

U shpreh miqve nga Lugina e Preshevës vendosmërinë time menjëherë pas marrjes së detyrës së Kryeministrit, për ta trajtuar me prioritet dhe në çdo institucion ndërkombëtar këtë çështje, e cila është shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Një vend të veçantë zuri dhe Kosova dhe përpjekjet për të dëmtuar luftën e drejtë për liri të UÇK.

Askush nuk mund ta përbaltë luftën e drejtë të UÇK, dhe ne do të bëjmë gjithçka që të mos rishkruhet historia, ku agresori të kthehet në viktimë, siç po përpiqen ta shesin sot.

Shqipëria do të miratojë në seancën e parë pas zgjedhjeve të 25 prillit, rezolutën që dënon krimet serbe në Kosovë, si dhe do të heqë të gjitha barrierat mes dy vendeve, duke nisur me traun e rrugës Durrës-Kukës.

Shqipëria duhet dhe do të luajë një rol më të rëndësishëm mbështetës dhe koordinues mes shqiptarëve, për të mirën e përbashkët që është zhvillimi ekonomik, integrimi euroatlantik dhe forcimi i faktorit shqiptar kudo ku jeton e punon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat