Aktivizimi i rritjes së flokëve me pak ndihmë nga lëkura

Shëndetësia

Aktivizimi i rritjes së flokëve me pak ndihmë nga lëkura

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 07:41

Rikthimi i flokëve të humbura është një detyrë e ndërmarrë jo vetëm nga praktikuesit e bukurisë. Studimet e mëparshme kanë identifikuar sinjale nga lëkura të cilat nxisin faza të shpejta e të reja të rritjes së flokëve.

Megjithatë, mënyra se si komunikojnë llojet e ndryshme të qelizave që banojnë në lëkurë për ta aktivizuar rritjen e flokëve ka vazhduar t’i habitë biologët. Një studim emocionues i botuar më 23 dhjetor në revistën me qasje të hapur PLoS Biology e zbulon një mënyrë të re për ta nxitur rritjen e flokëve.

Një grup nga Qendra Kombëtare Spanjolle për Hulumtime të Kancerit (CNIO) e ka zbuluar një lidhje të papritur? Një lidhje në mes të sistemit të mbrojtjes së trupit dhe rigjenerimit të lëkurës. Rezulton se makrofaget janë të përfshira. Këto janë qelizat nga sistemi imun që janë përgjegjëse për t’i asgjësuar patogjenet pushtuese, një proces ky i quajtur fagocitozë. Autorët raportojnë se makrofaget e shkaktojnë rritjen e flokëve duke i rrethuar dhe aktivizuar qelizat në lëkurë të cilat kanë kapacitete rigjeneruese, të quajtura qeliza burimore. Zbulimi se makrofaget i aktivizojnë qelizat burimore të lëkurës mund të ndikojë tek teknologjitë me aplikimet e mundshme në rigjenerimin e indeve, plakjen, dhe kancerin.

Autorët e studimit janë Mirna Perez-Moreno dhe Donatello Castellana, nga Epithelial Cell Biology Group i BBVA Foundation-CNIO Cancer Cell Biology Programme, së bashku me Ralf Paus, ekspert i imunobiologjisë së flokëve nga Universiteti i Mançesterit dhe Münster.

“Kemi zbuluar se makrofaget, qelizat funksioni kryesor i të cilave i atribuohet tradicionalisht luftimit të infeksioneve dhe shërimit të plagëve, janë gjithashtu të përfshira në aktivizimin e qelizave burimore të folikulave të flokëve në lëkurën e painflamuar”, thotë Perez-Moreno.

Këto rezultate dolën nga një vëzhgim nga Perez-Moreno, derisa ishte duke punuar në një projekt tjetër kërkimor. Për çudi, minjtë me të cilët ajo po punonte në atë kohë filluan të rigjenerojnë flokë kur u ishin dhënë ilaçe anti-inflamatore. Kurioz për faktin nëse komunikimi i ngushtë midis qelizave burimore dhe qelizave imunitare mund ta shpjegojë këtë vëzhgim, laboratori i Perez-Moreno filloi të testojë lloje të ndryshme të qelizave të përfshira në sistemin e mbrojtjes së trupit për një rol në rritjen e flokëve.

Ata vunë re se kur qelizat e lëkurës janë në gjumë, një pjesë e makrofagëve vdesin në mënyrë natyrale për shkak të një procesi normal të quajtur apoptoza. Çuditërisht, qelizat që vdesin dhe ato që mbijetojnë i aktivizuan qelizat burimore aty pranë dhe flokët filluan të rriten përsëri.

Makrofaget i sekretojnë një numër faktorësh duke e përfshirë një klasë të molekulave sinjalizuese të quajtura Wnts.

Kur hulumtuesit i trajtuan makrofaget me një ilaç frenues WNT, aktivizimi i rritjes së flokëve ishte vonuar, duke e demonstruar një rol për WNT nga makrofagët në promovimin e rritjes së flokëve. Edhe pse ky studim është kryer në minj, studiuesit besojnë se zbulimi i tyre mund ta lehtësojë zhvillimin e strategjive të reja të trajtimit për rritjen e flokëve tek njerëzit.

Hulumtuesit përdorën pika të vogla, ose lipozome, për ta bartur ilaçin e përdorur në studim. Përdorimi i ardhshëm i lipozomeve si një mënyrë për ta transportuar ilaçin në qeliza specifike është premtues dhe mund të ketë implikime shtesë për studimin e disa patologjive, thotë Donatello Castellana.

Nga një perspektivë më fuodamentale, ky hulumtim është një përpjekje për të kuptuar se si modifikimi i mjedisit i cili i rrethon qelizat burimore të lëkurës tek të rriturit mund t’i rregullojë aftësitë e tyre rigjeneruese. Një nga sfidat aktuale në fushën e qelizave burimore është rregullimi i aktivizimit të pishinave të qelizave endogjene burimore në indet e të rriturve për ta promovuar rigjenerimin pa nevojën e transplantimit”, thotë Perez-Moreno.

Për shkak të këtij studimi, tani dihet se makrofaget e luajnë një rol kyç në mjedisin rrethues të qelizave burimore.

“Studimi ynë e nënvizon rëndësinë e makrofagëve si modulatorë në proceset rigjeneruese të lëkurës, duke shkuar përtej funksionit të tyre primar si qeliza fagocitare imune”, thonë autorët në PLoS Biology.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat