​Shënohet Java e Imunizimit, gjatë 5 dekadave u shpëtuan më shumë se 1 miliard jetë në mbarë botën

Shëndetësia

​Shënohet Java e Imunizimit, gjatë 5 dekadave u shpëtuan më shumë se 1 miliard jetë në mbarë botën

Më: 23 prill 2024 Në ora: 09:46
Foto ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka shënuar Javën Evropiane të Imunizimit 2024.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga IKShPK, Java Evropiane e Imunizimit fokusohet në suksesin e vaksinimit ndër breza, duke promovuar ndërgjegjësimin për rëndësinë e imunizimit në parandalimin e sëmundjeve.

“Java e Imunizimit është moment kyç për të ngritur vëmendjen rreth përfitimeve dhe rëndësisë së vaksinimit për shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme të popullatës, gjatë gjithë jetës së tyre. Në vitin 1974, u lansua Programi i Zgjeruar global i Imunizimit për të siguruar që të gjithë fëmijët, në të gjitha vendet e botës të përfitojnë nga vaksinat shpëtimtare kundër 6 sëmundjeve potencialisht fatale”, thuhet në njoftim.

Sipas IKShPK-së Java e Imunizimit në këtë vit ka rëndësi të veçantë pasi që përkon me 50 vjetorin e Programit të Zgjeruar të Imunizimit (PZI).

“Duke përkujtuar këtë moment historik, bota feston arritjet e jashtëzakonshme të PZI-së gjatë 5 dekadave të fundit duke shpëtuar më shumë se 1 miliard jetë në mbarë botën. Që nga viti 1974, falë vaksinimit, Variolla është eradikuar, shtrirja gjeografike e Poliovirusit të egër është reduktuar deri vetëm në dy vende. Rastet e fruthit, rubellës, tuberkulozit, pertusisit, tetanosit dhe difterisë janë ulur shumë”, thuhet nga IKShPK.

Përpjekjet e vazhdueshme në përkrahje të PZI-së sipas IKShPK-së janë thelbësore për të identifikuar boshllëqet e imunitetit tek të gjitha moshat duke përfshirë ata që mund të janë vonuar për vaksinat e rradhës apo kanë humbur mundësinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat