Rreziku i theksuar për isheminë vjen nga biftekët

Shëndetësia

Rreziku i theksuar për isheminë vjen nga biftekët

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 08:18

Disa shkencëtarë kanë zbuluar një lidhje të veçantë mes mekanizmit të inflamacionit kronik të arterieve dhe konsumimit të mishit të kuq. Rreziku për t’u prekur nga ishemia është shumë i lartë

Prej disa vitesh tashmë, kemi dëgjuar shpesh të thuhet se “mishi i kuq bën keq” ose që, gjithsesi një konsumim i madh i biftekëve mund t’i shkaktojë dëme të mëdha shëndetit tonë, sidomos duke e ekspozuar atë ndaj sëmundjeve kardiovaskulare.

Megjithatë, lidhja efektive mes një filetoje viçi (pak krudo) dhe problemeve të arterieve të trupit është mjaft komplekse dhe pjesërisht e njohur. Disa studiues amerikanë më së fundmi kanë nxjerrë në dritë një studim, objektivi i të cilit ishte qartësimi i lidhjes mes ushqyerjes sonë dhe rreziqeve për shëndetin: rezultatin e punës së tyre e bën të ditur nëpërmjet një artikulli të publikuar në revistën “Cell Metabolism”.

Substancat e prodhuara nga L-Karnitina

Profesori Stanley Hazen, nga departamenti i mjekësisë qelizore dhe molekulare i Klinikës Cleveland e ka studiuar për disa vite këtë mekanizëm. Studimet e mëparshme e ndihmuan që të evidentonte se si arteroskleroza favorizohej nga një përbërës kimik (trimetilamina-N-ossido, TMAO) i sintetizuar nga një shenjë paralajmëruese e quajtur trimethylamine; përqendrimet më të larta të kësaj vinin pikërisht nga konsumimi i mishit, për shkak se ky përbërës kimik prodhohet nga bakteret e zorrëve, duke filluar nga L-carnitina, kompleksi organik që e marrim pikërisht përmes dietës tonë të përditshme dhe, në veçanti, nga mishi i kuq.

Por më së fundmi, hetimi i mëtejshëm i Hazen dhe kolegëve të tij ka treguar se këtij procesi i shtohet edhe një përbërës tjetër themelor: vëzhgimet te minjtë e laboratorit kanë treguar se një metabolit i quajtur gamma-butirrobetaina, luan një rol edhe më të rëndësishëm në procesin e arterosklerozës.

Edhe ky në fakt, prodhohet nga bakteret tona të zorrëve, duke nisur nga L-karnitina e mishit të kuq, por me një normë të lartë prej mijëra herësh më të madhe se trimetilamina. Pra bëhet fjalë qartësisht për një substancë edhe më të rrezikshme për sistemin tonë kardiovaskular.

Arteroskleroza

Arteroskleroza është grumbullimi i materieve të yndyrshme dhe kripërave e kalciumit në brendësi të mureve të arterieve. Kjo gjë çon deri në mbylljen e tyre dhe në zvogëlimin e qarkullimit të gjakut me shumë pasoja. Ndryshimet aterosklerotike fillojnë të zhvillohen që në fëmijëri dhe dalëngadalë përparojnë gjatë jetës. Më të theksuara janë te të moshuarit, por shumica e njerëzve e kanë të zhvilluar arterosklerozën në masë të vogël ose të madhe.

Faktorët të cilët mundësojnë zhvillimin e saj janë: rritja e nivelit të lipideve ose yndyrave (kolesterolit dhe triglicerideve) në gjak, shtypja e lartë e gjakut, duhanpirja, sëmundja e sheqerit dhe stresi.

Por si mund të ngadalësoni zhvillimin e arterosklerozës? Së pari duhet të hani ushqim të shëndetshëm. Është me rëndësi kufizimi i konsumimit të yndyrave (sidomos shtazore), ëmbëlsirave dhe kripërave. Mos pini duhan. Pesha trupore duhet të mbahet në kufij normalë.

Duhet të kryeni aktivitet të rregullt fizik. Nëse mundni shmangni sa më shumë stresin. Ndërkohë, personat e sëmurë nga hipertensioni duhet të ndjekin me rregull dhe me përpikëri terapinë e cila do ta mbajë tensionin në kufijtë e normales. Diabetikët duhet në mënyrë strikte t’u përmbahen të gjitha udhëzimeve për stilin e jetës.

Po ishemia çfarë është?

Ishemia është një goditje në tru, prej mungesës së furnizimit me gjak dhe oksigjen të trurit. Ka dy lloje goditjesh në tru. Ishemike dhe hemorragjike. Meqenëse në shumicën e rasteve goditjet në tru janë ishemike, ne do të trajtojmë këto goditje, goditjet ishemike.

Një goditje ishemike ndodh kur një mpiksje e gjakut bllokon një nga enët ose arteriet në tru. Pra, arteria e cila dërgon gjak në tru bllokohet. Ky lëmsh mund të krijohet në një zonë tjetër të trupit dhe të lëvizë në arteriet e gjakut, derisa arrin në një enë të ngushtë të trurit, duke bllokuar furnizimin me gjak.

Truri ka nevojë konstante për oksigjenin dhe glukozën që sjell gjaku. Nëse furnizimi me gjak bllokohet për më shumë se disa minuta, atëherë ajo pjesë e trurit ndalon së funksionari siç duhet, ndërsa indet e asaj pjese të prekur të trurit, fillojnë dhe vdesin. Dëmtimi i asaj pjese të prekur të trurit, shkakton humbjen e funksioneve të trupit të kontrolluara nga ajo pjesë.

Çdo goditje ishemike është e ndryshme. Simptomat dhe pasojat variojnë nga lloji i goditjes, pjesa e prekur e trurit, dhe madhësia e zonës së dëmtuar. Për disa njerëz, pasojat janë të rënda, për disa, mesatare dhe për disa të tjerë janë të lehta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat