Një në pesë vdekje shkaktohen nga duhani

Shëndetësia

Një në pesë vdekje shkaktohen nga duhani

Më: 27 maj 2015 Në ora: 23:29

Duhani mbetet një prej shkaktarëve kryesorë të vdekjeve në Shqipëri. Gjatë një takimi të zhvilluar dje nga Ministria e Shëndetësisë në vigjilje të Ditës Botërore pa Duhan u diskutuan një sërë problemesh që vijnë si rezultat i përdorimit të tij. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se një në pesë vdekje vijnë nga përdorimi duhanit.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ledia Lazri, ngriti shqetësimin për prevalencën e lartë të duhanprirjes në Shqipëri, ku 40 për qind e popullatës mbi 15 vjeç janë përdorues. Nga ana tjetër, kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda, tha se janë vënë mbi 300 mijë dollarë gjoba ndaj shkelësve të ligjit antiduhan. “Sipas raportit të fundit të treguesve të kujdesit shëndetësor të vitit 2014, duhanpirja është një ndër tre shkaktarët kryesorë të dëmtimit të shëndetit të shqiptarëve; 1 në 5 vdekje vijnë nga duhani dhe 1 në 10 sëmundje vijnë nga duhani.

Këto dëme prodhojnë dhe barrën kryesore të sëmundshmërisë në Shqipëri, grup-sëmundjet kardiovaskulare dhe tumorale. Forcimi i parandalimit është përpjekja në drejtimin e duhur për të luftuar këto dy grup-sëmundje dhe për të përmirësuar shëndetin e popullsisë shqiptare”, u shpreh ministri i Shëndetësisë Beqaj. Sipas të dhënave më të fundit nga OBSH-ja, prevalenca e duhanpirjes në popullatën shqiptare 15 vjeç e lart është 40 për qind, por shqetësues është fakti se ka një rritje të prevalencës së duhanpirjes jo vetëm te meshkujt por edhe te femrat, sidomos në zonat urbane.

Ndërsa drejtori i ISHP-së, Arjan Bregu, e vuri theksin te rreziqet që vijnë si rezultat i përdorimit të duhanit. Sipas tij, duhanpirja është përgjegjëse për shumë sëmundje kronike, në veçanti për kancerin e mushkërive dhe sëmundjet kardiovaskulare. “Duhet theksuar se sëmundjet kronike përbëjnë rreth 90% të vdekshmërisë në vendin tonë, ku rreth 55 për qind i zënë sëmundjet kardiovaskulare dhe 20 për qind tumoret në përgjithësi. Është e rëndësishme të rrisim ndërgjegjësimin për të frenuar këtë shkaktar të sëmundshmërisë, pasi fatmirësisht duhanpirja është një faktor i modifikueshëm”, u shpreh drejtori Bregu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat