Si të përballeni me problemet mendore

Shëndetësia

Si të përballeni me problemet mendore

Më: 28 prill 2015 Në ora: 17:11

Kur kërkojmë ndihmë për problemet e shëndetit mendor, presim të na japin mjekime, ose alternativa trajtimi. Ajo që shpesh harrojmë lidhet me ndryshimet në stilin e jetesës.
Një studim i fundit në Universitetin e Illinoisit, tregoi se, gjysma e simptomave mendore mund të eliminohen me ndryshime në stilin e jetës: ndryshime në dietë dhe ushtrime fizike.

Këto kanë ndikim të madh, sidomos te depresioni, ankthi, çrregullimi bipolar dhe skizofrenia. Po ashtu, ato mund të ndihmojnë në pakësimin e faktorëve të riskut, që mund të çojnë në zhvillimin e diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare, dhe hipertensionit. Më poshtë, po japim katër ndryshime që mund të bëni në stilin e jetës, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e shëndetit tuaj mendor:

Përmirësimi i dietës

Kërimet tregojnë se dieta ndikon në shëndetin mendor. Frutat dhe perimet ndikojnë në mirëqenie. Ndjenjat e optimizmit, lumturisë, vetëvlerësimit dhe aftësitë përtëritëse mund të ndihmojnë në luftën kundër problemeve fizike, por edhe mendore. Ndërsa ushqimet me shumë yndyrë, mund të shtojnë rrezikun për simptoma psikiatrike, përmes baktereve që jetojnë në stomak. Një dietë e pasur me yndyra mund të rrisë ankthin, të dëmtojë kujtesën dhe të ndikojë në inflamacionin e trurit. Omega-3, që gjendet te salmoni, mund të ndihmojë ata që vuajnë nga depresioni.

Ushtrohuni vazhdimisht

Përfitimet nga aktiviteti fizik janë të mëdha, sidomos për ata që vuajnë nga problemet mendore. Një studim universitar i ka quajtur ushtrimet si “bari magjik” për ata që vuajnë nga ankthi dhe depresioni. Ecja, ose të punuarit në kopsht, gjysmë ore në ditë, mund të ndihmojë në luftimin e depresionit, por edhe në problemet me peshën (efekt anësor i barnave për sëmundjet mendore).

Praktikoni teknika për reduktimin e stresit

Stresi i ushqen sëmundjet mendore dhe sëmundjet mendore ushqejnë stresin. Ndërmarrja e hapave për pakësimin e stresit në jetë ndihmon në ndërprerjen e këtij rrethi vicioz. Praktikoni teknika meditimi, të paktën 25 minuta në ditë, për të reduktuar stresin dhe përmirësuar mirëqenien. Një studim në Universitetin “Xhon Hopkins” ka treguar se meditimi përmirëson simptomat e ankthit dhe depresionit. Edhe joga rekomandohet si një mjet i fuqishëm kundër stresit.

Flini mjaftueshëm

Të gjithë e duam gjumin cilësor, por jo gjithmonë mund ta bëjmë. Mund të përmirësoni shëndetin mendor, nëse praktikoni një higjienë të mirë gjumi: bini për të fjetur dhe ngrihuni në mëngjes në orare të njëjta; ushtrohuni mjaftueshëm, shmangni vaktet e rënda në darkë, si dhe kafeinën dhe praktikoni teknika relaksimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat