Erdhi pranvera, kujdes nga alergjitë

Shëndetësia

Erdhi pranvera, kujdes nga alergjitë

Më: 30 mars 2015 Në ora: 17:11

Mjeku Ervin Mingomataj tregon për alergjitë e stinës dhe nga çfarë duhet të kihet kujdes gjatë kësaj periudhe. Poleni i luleve, bari, pemët, pushi, pluhuri, ilaçet, myshku, thumbimi i insekteve dhe disa lloj ushqimesh i stimulojnë alergjit Pranvera tashmë ka ardhur dhe bashkë me të edhe alergjitë. Për ata që vuajnë nga to, kjo stinë nuk është dhe aq e dëshiruar, sepse për shkak të simptomave detyrohen që përgjithësisht të marrin ilaçe apo të qëndrojnë në shtëpi. Për t’u paraprirë këtyre rasteve dhe për të ditur më shumë rreth alergjive, për mediat shqiptarefoli Prof. Ass. Ervin Mingomataj, mjek alergolog-imunolog në shërbimin e alergologjisë, Spitali i Sëmundjeve Infektive, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Doktor Ervini thotë se ndër alergjitë më të shpeshta është e ashtuquajtura “rrufa alergjike”, e cila shkaktohet nga kontakti me polenin e luleve. Ai thotë se përgjithësisht duhet shmangur kontakti, ose në rastet kur dihet se një person është alergjik të vihet në pararojë duke u trajtuar me ilaçe. Mjeku thotë se ndër më të rrezikshmet janë alergjitë që shkaktohen nga helmet e insekteve, alergji të cilat mund të sjellin edhe pasoja të rënda për shëndetin.

Nga se shkaktohen dhe si trajtohen alergjitë

Sikurse thotë edhe doktor Ervini, për alergjitë nuk është se ka një shkaktar të vetëm apo teori kryesore. “Duke u bazuar në disa studime britanike, përpara 25 vitesh u hodh ideja se është higjiena ajo që na ka bërë alergjikë”, thotë doktori. “Asokohe u tha se për shkak të higjienës imuniteti i njeriut nuk edukohej më me infeksionet. Pra meqenëse kishte më tepër pastërti sistemi imun nuk rrihej më me to (infeksionet) dhe ndaj ndodhte që imuniteti të reagonte në të tilla mënyra, të ekzagjeruara, përballë një agjenti të jashtëm, të cilin nuk e kishte njohur më parë. Më vonë edhe pse nuk u shtuan infeksionet, alergjitë u shtuan gjithsesi, kjo pasi u shtuan faktorë si ndotja at atmosferike, apo vetë ndotja e mjedisit në tërësi, stresi dhe ritmi i lartë i jetës.

Tanimë teoria më e pranueshme quhet pak a shumë “The Changing World” (Bota në ndryshim), njeriu nuk është programuar gjenetikisht që, si të thuash, ta pranojë, t’i përshtatet menjëherë mjedisit që sa vjen dhe po e ndryshon gjithnjë e më tepër dhe ndaj imuniteti i tij ka raste që reagon në mënyra të ekzagjeruara”. Por pavarësisht se ndryshimet mjedisore të kryera nga njeriu kanë lënë shkak që të shfaqen edhe më tepër sëmundjet e alergjive, në Perëndim është bërë e mundur që rastet e shfaqjes së simptomave të vijnë duke u ulur. Doktor Ervini shprehet se kjo gjë ka të bëjë me përdorimin e antibiotikëve dhe trajtimit më mirë të efekteve të tij. “Në Perëndim tashmë janë kaluar në fazën e trajtimit të atyre rasteve ku përdorimi i antibiotikëve sillte një imunitet më të dobët e më të zbuluar ndaj alergjive. Duke qenë se antibiotikët janë përdorur prej kohësh, pra pacientët, si të thuash, janë mësuar me trajtimin e antibiotikëve, atje tanimë po kontrollohen efektet e tyre dhe shfaqja e simptomave po vjen duke u ulur. Në vendin tonë për të ardhur në këtë fazë, do të na duhen së paku dy-tre dekada, pasi ne kemi nisur t’i përdorim antibiotikët shumë më vonë sesa Perëndimi”.

Nuk duhet abuzuar me antibiotikët

“Antibiotikun duke e marrë më vonë, si fillim e përdornim për çdo rast, por duke kaluar në çdo fazë sikurse ka kaluar dhe Perëndimi, tanimë e përdorim në mënyrë më të reduktuar, jo në çdo rast domethënë, në varësi të gjendjes”. Në përgjithësi simptomat reduktohen me anë të medikamenteve antihistaminike. “Incidali i famshëm”, thotë doktori.

“Që tashmë është zëvendësuar me ilaçe të tjera”. Në raste të veçanta ku simptomat janë më të rënda përdoret edhe kortizoni, i cili bllokon sistemin imunitar në mënyrë më drastike. Këto ilaçe mund të japin efekte anësore, si lodhje trupore, përkeqësim të përqendrimit apo dhe aftësisë reaguese. Duhet thënë se për alergjitë nuk ka shërim, ka vetëm trajtime që reduktojnë simptomat, një nga këto trajtime është edhe vaksinimi. “Imunoterapia, e cila realizohet përmes vaksinës është një opsion që u jepet personave të cilëve u njihet se nga çfarë janë alergjikë”, thotë doktor Ervini.

“Ky opsion u mundësohet me kushtin që nëse e fillojnë këtë trajtim një herë, të mos e lënë në mes, pasi kjo nuk është një vaksinë sikurse vaksina e gripit që bëhet një herë dhe kalohen ato tre-gjashtë muajt e dimrit apo pranverës dhe mund të ndërpritet, vaksina duhet të merret edhe pasi të ketë kaluar stina e alergjisë. Terapia duhet të çohet deri në fund, edhe nëse ka përfitime ajo duhet të vazhdohet deri në 3 vjet, sepse nëse ndalohet atëherë simptomat mund të rikthehen edhe në momentet të padëshiruara”.

Në ditët e sotme ndër (shkaktarët e simptomave) alergjenët më të zakonshëm janë poleni i luleve, bari, pemët, pushi, pluhuri, ilaçet, myshku, thumbimi i insekteve apo dhe vetë ushqimet.

Këshilla për rrufën Alergjike

Ndryshimet klimaterike, luhatja e temperaturave dhe lagështisë drejt të ngrohtit të pranverës, sjellin periudhën e përshtatshme për lulëzimin e bimëve. Poleni, që është ajo pjesë e lules nëpërmjet së cilës realizohet fertilizimi i bimëve, përhapet me anë të erës, por dhe insekteve. Pikërisht grimcat e polenit që gjenden në këtë periudhë në ajër, përfundojnë në aparatin e frymëmarrjes së shumë njerëzve, por tek ata të cilët kanë një imunitet të ndjeshëm ndodhin ngacmime të cilat shfaqin edhe simptomat e njohura, si kruajtja dhe kullimi i hundëve, skuqja dhe lotimi i syve apo dhe komplikacione sikurse astma alergjike.

“Pas një dite me shi, pas luhatjesh të ndryshme temperaturash dhe në momentet me erëra, janë momentet ku mund të ekspozohemi më së shumti ndaj poleneve dhe pikërisht këto momente duhen shmangur”, thotë doktor Ervin Mingomataj. “Pra mënyra më e mirë për t’iu shmangur simptomave është shmangia në mënyrë maksimale shkaktarit të alergjisë, në këtë rast polenit të luleve. Duhet pasur kujdes me ajrosjen e shtëpisë, dritaret nuk duhen hapur herët në mëngjes, pasi ai është momenti ku polenet janë më me dendësi në ajër, nga ana tjetër herë pas here duhet të lajmë duart apo dhe t’i shkundim rrobat dhe flokët pasi mes tyre mund të kenë përfunduar grimca poleni, të cilat mund të përfundojnë më pas në aparatin tonë të frymëmarrjes”. Duhet pasur parasysh që përgjithësisht simptomat ngatërrohen me ato të virozave, sidomos rrufa, doktori thotë se:“Kur këto simptoma nuk shoqërohen me temperaturë dhe kanë një shtrirje më të gjatë kohore, sesa periudhat e virozave, atëherë me shumë gjasa kemi të bëjmë me një alergji”.

Doktor Mingomataj thotë se për personat që e dinë se janë alergjikë, duhet që në këtë periudhë të marsit të fillojnë dhe të trajtohen me medikamente, në mënyrë që kur të jetë piku i shpërthimit të luleve, atëherë simptomat të mos paraqiten në mënyrë shqetësuese.

Kujdes nga alergjia e thumbimit të insekteve

Por përveç luleve në këtë stinë fillojnë dhe shfaqen më së shumti edhe insektet, të cilat gjithashtu mund të shkaktojnë sëmundje alergjike. Thumbimi nga grerëza, bleta apo dhe insekte të tjera, është një tjetër alergjen, i cili mund të shkaktojë simptoma madje edhe të rënda. “Kjo alergji, nëse shfaqet është më kërcënuese”, thotë doktor Ervin Mingomataj. “Nuk është si alergjia e polenit që të bllokon hundët dhe të prish gjumin (qesh). Rastet kur paraqitet kjo alergji i bën urgjente, të tipit pacienti humbet vetëdijen, ndodhin reaksione të menjëhershme, të cilat nëse përkeqësohen mund t’i rrezikojnë edhe jetën. Fatkeqësisht je apo nuk je alergjik ndaj thumbimit të një insekti nuk zbulohet përpara sesa ta kesh provuar njëherë një thumbim.

Përgjithësisht simptomat shfaqen kur ndodh një thumbim për herë të dytë, me simptoma që shfaqen me marrje të frymës, rënie të tensionit, ënjtje sysh, duarsh, ënjtje të vendit ku është thumbuar, simptoma që shkojnë deri në humbje të vetëdijes dhe prej së cilave mund të rrezikohet edhe jeta. Është e nevojshme që këta persona të cilët e dinë këtë gjë të shmangin kontaktet me natyrën në ditët kur temperaturat e jashtme janë mbi 15 gradë. Duhet theksuar se tanimë ngrohja globale ka bërë që insektet t’i shohim në qarkullim edhe në vjeshtë apo dimër, kjo ka bërë që të kemi raste edhe në periudha që përgjithësisht kanë qenë të ftohta. Ne për shembull kemi pasur raste në janar, apo dhe në shkurt vjet, ku na janë paraqitur raste të tilla. Pra duhen shmangur kontaktet me natyrën në ditë me temperatura mbi 15 gradë celsius, ose të mbahet me vete një dozë adrenalinë në mënyrë që të mos humbas vetëdija.

Simptomat

Simptomat më të përgjithshme të alergjive stinore janë teshtimat e shpeshta dhe të herëpashershme, kullim, rrjedhje, kruajtje dhe skuqje të hundës, simptoma të cilat bashkëshoqërohen me bllokim të tyre, bllokim që kalon nga njëra anë në tjetrën. Kjo gjendje e hundës rëndon dhe përkeqëson gjumin. Këto simptoma shoqërohen edhe me skuqje, lotim apo dhe kruajtje sysh. Simptoma të tjera mund të jenë kolla, gërhitja në gjoks, marrja e frymës, sekrecione. Njëherazi këto simptoma mund të shfaqen edhe me shenja dobësie trupore, dhimbje koke apo dhe ankthi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat