Boronicat – kokrrat e vogla që japin shumë

Shëndetësia

Boronicat – kokrrat e vogla që japin shumë

Më: 25 janar 2015 Në ora: 19:08

Keni menduar t'ua shtoni drithërave tuaja të mëngjesit një filxhan me boronica? Bëjeni.
Vetëm një filxhan me boronica në ditë mund të jetë çelësi për uljen e shtypjes së gjakut dhe ngurtësimin arterial, të cilat janë të lidhura me sëmundjen kardiovaskulare.

"Gjetjet tona sugjerojnë se konsumi i rregullt i boronicave potencialisht mund ta vonojë përparimin e parahipertensionit në hipertension, duke e reduktuar kështu rrezikun nga sëmundja kardiovaskulare", tha Sarah A. Johnson, nga Center for Advancing Exercise and Nutrition Research on Aging (CAENRA) dhe anëtare pasakademike në Departamentin e ushqyerjes, ushqimit dhe shkencave të ushtrimit në Universitetin Shtetëror në Florida (FSU).

Johnson dhe një ekip i shkencëtarëve të të ushqyerjes dhe stërvitjeve në FSU janë autorët e një artikulli të ri, "Konsumi ditor i boronicës e përmirëson presionin e gjakut dhe ngurtësimin arterial tek gratë pasmenopauzale me parahipertension dhe hipertension të fazës 1." Puna e tyre është publikuar në Journal of Academy of Nutrition and Dietetics.

Johnson tha se ajo është e interesuar që të vëzhgojë se si ushqimet funksionale - ushqimet që e kanë një ndikim pozitiv në shëndet përtej të ushqyerit bazik - mund t'i parandalojnë dhe kthejnë rezultatet negative shëndetësore, veçanërisht për gratë pasmenopauzale.

"Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes në Shtetet e Bashkuara", tha ajo. "Pasi që gratë të kalojnë nëpër menopauzë, kjo i vë ato në një rrezik edhe më të madh. Gjetjet tona sugjerojnë se shtimi i një ushqimi të vetëm, boronicës, në dietë mund t'i zbusë efektet negative kardiovaskulare të cilat ndodhin shpesh si rezultat i menopauzës."

Gjatë një periudhe tetëjavëshe, 48 gra në menopauzë me parahipertension dhe hipertension të fazës l ishin caktuar në mënyrë rastësore për t'i marrë ose 22 gramë të pluhurit të ngrirë dhe të tharë të boronicës - ekuivalentin e një filxhani të boronicave të freskëta - ose 22 gramë të një pluhuri placebo. Pjesëmarrëset ndërkohë vazhduan me dietën e tyre normale dhe rutinat e ushtrimeve të tyre.

Në fund të tetë javëve, pjesëmarrëset që morën pluhur boronice në mesatare kishin një ulje prej 7 mmHg (5,1 për qind) në tensionin sistolik të gjakut. Ata gjithashtu e vërejtën një reduktim prej 5 mmHg (6,3 për qind) në presionin diastolik të gjakut. Përveç kësaj, pjesëmarrëset në grupin e trajtuar me boronicë e kishin një reduktim mesatar prej 97 cm/sekondë (6,5 për qind) në ngurtësimin arterial.

Ata gjithashtu zbuluan se oksidi nitrik, një biomarker i gjakut i njohur të jetë i përfshirë në zgjerimin e enëve të gjakut, ishte rritur me 68,5 për qind. Kjo është e rëndësishme, tha Johnson, sepse ngurtësimi arterial dhe ngushtimi i enëve të gjakut janë që të dyja pjesë e hipertensionit. Kjo rritje e oksidit nitrik ndihmon ta shpjegojë uljen e shtypjes së gjakut.

Johnson tha se studimet e ardhshme do të konsiderojnë doza të tjera të boronicave, periudha më të gjata të ndërhyrjes dhe mostra të tjera të popullsisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat