Nevoja për konsumimin e proteinave shtazore rritet me moshën

Shëndetësia

Nevoja për konsumimin e proteinave shtazore rritet me moshën

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 16:29

Në publikimin e fundit të “Journal of the American Geriatrics Society”, studiuesit sugjerojnë se konsumimi i një diete me nivele të larta të proteinave shtazore mund t’i ndihmojë meshkujt e moshuar të funksionojnë në nivele më të larta fizike, psikologjike dhe sociale.

Hulumtuesit nga ky studim thonë se kërkimet tregojnë që plakja mund ta zvogëlojë aftësinë e trupit për t’i absorbuar ose procesuar proteinat. Kjo mund të nënkuptojë që nevoja jonë për proteina rritet me moshën.

Me rritjen e jetëgjatësisë në vende të caktuara, ekipi vë në dukje se një numër më i madh i të moshuarve jeton me rënie funksionale, gjë që përfshin aftësinë e përkeqësuar kognitive dhe kapacitetin për t’i kryer aktivitetet ditore. Përveç ndikimit emocional që kjo mund të ketë tek individët, studiuesit thonë se rritja e rënies funksionale gjithashtu mund të ndikojë në ekonomitë e këtyre vendeve.

Si rezultat, ekipi i kryesuar nga Megumi Tsubota-Utsugi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe të Ushqyerit në Japoni, ka hulumtuar në qoftë se marrja e proteinave mund të ndikojë në aftësinë funksionale të meshkujve dhe femrave të moshuara.

Lidhja me rënien e reduktuar ishte me proteinat shtazore, dhe jo ato të perimeve

Ata e kryen studimin e tyre, i cili u përqendrua në marrëdhëniet në mes të marrjes së proteinave dhe rënies së ardhshme në kapacitetin funksional të nivelit më të lartë, duke i përdorur individët e moshuar të cilët nuk janë nën përkujdesje në Japoni.

Në total, ata ndoqën 1,007 individë të cilët kishin një moshë mesatare prej 67.4 vjeç. Pjesëmarrësit i plotësuan pyetësorët ushqimor në fillim të studimit dhe pastaj përsëri 7 vjet më vonë.

Duke i ndarë pjesëmarrësit në kuartile sipas niveleve të konsumit të proteinave totale shtazore dhe bimore, studiuesit pastaj kryen teste të kapaciteteve funksionale të nivelit më të lartë, të cilat përfshijnë komponentë shoqëror dhe intelektual, si dhe teste që kanë të bëjnë me aktivitetet e përditshme të jetesës.

Rezultatet e tyre treguan se meshkujt nga grupi i cili konsumoi kryesisht proteina shtazore kishte një rrezik 39 për qind më të vogël të rënies funksionale të nivelit më të lartë, në krahasim me ata që konsumuan më pak proteina shtazore.

Edhe pse gjetjet e tyre janë të rëndësishme, ekipi vë në dukje se ata nuk e vërejtën këtë lidhje edhe tek femrat. Gjithashtu, ata nuk e kanë gjetur ndonjë lidhje midis konsumimit të proteinave bimore dhe rënies funksionale tek meshkujt dhe femrat.

Duke komentuar gjetjet e tyre, Tsubota-Utsungi thotë: "Identifikimi i faktorëve ushqyes që kontribuojnë në ruajtjen e kapacitetit funksional të nivelit të lartë është i rëndësishëm për parandalimin e përkeqësimit të ardhshëm të aktiviteteve të përditshme të jetesës. Së bashku me sjelljet e tjera shëndetësore të modifikueshme, mbajtja e konsumit më të lartë të proteinave mund të kontribuojë në ruajtjen e kapacitetit funksional tek të moshuarit."

Abstrakti i studimit nuk e detajon kategorizimin e asaj se çfarë lloj të proteinave shtazore kishin konsumuar njerëzit në kuartilin më të lartë, por specifikon se proteinat bimore nuk e kishin ulur rreziqet nga rënia funksionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat