Ebola: Sa rrezik ka të infektoheni nga Ebola në një avion?

Shëndetësia

Ebola: Sa rrezik ka të infektoheni nga Ebola në një avion?

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 19:56

Shpërthimi i Ebolës ka shkaktuar ankth mes udhëtarëve të disa kompanive ajrore. Një grua u fotografua në aeroportin e Uashingtonit e veshur me një ‘mburojë’ që do ta mbronte nga Ebola.

Në njërën anë është e thjeshtë të kuptosh përse frika është kaq e përhapur. Aeroplanët janë vende të izoluara dhe të mbipopulluara. Pajisjet që gjenden brenda tyre preken nga shumë persona vazhdimisht.

Amber Vinson, personi i dytë i infektuar në Amerikë, fluturoi nga Klevërlendi, Ohaio, në Dallas, Teksas me Frontier Airlines fluturimi 1143. Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes (CDC) tha se donte të intervistonte 132 pasagjerët e tjerë.

Ngrihet pyetja – sa të shqetësuar duhet të jenë ata për prekjen nga sëmundja vdekjeprurëse?

Përgjigjja, sipas William Shcaffer, një specialist i sëmundjeve infektive në Shkollën e Mjekësisë të Vanderbiltit, është jo shumë.

“Jam i sigurt se ata janë të shqetësuar, por rreziku është pothuajse zero”, tha ai.

Po ashtu, CDC thotë se rreziku i çdo personi në atë avion është shumë i ulët.

Kjo, sepse virusi nuk tejçohet nga ajri si gripi. Ata që ishin në të njëjtin fluturim me pacientin nuk mund të rrezikohen nga frymëmarrja në të njëjtën kabinë.

Ka shumë pak gjasa që ndokush të marrë Ebolën nga një mbështetëse krahu, televizor me prekje apo një tabaka, thotë Schaffner.

Përkundrazi, Ebola përhapet nga kontakti direkt me lëngjet e trupit të kontaminuar, si gjaku, e vjella, pështyma dhe jashtëqitjet. Virusi mund të hyjë në trup përmes lëkurës së plagosur dhe membranave të mukozës.

Virusi është i ashpër brenda trupit, por i dobët kur është në sipërfaqe të pajetë. “Sapo mbërrin në një sipërfaqe të pajetë, ai ka filluar të shuhet.

Në sipërfaqet inerte, virusi nuk zgjat shumë – “Do thosha vetëm pak minuta”, thotë Peter Hotez, dekan në Universitetin Baylor. Përjashtim do të përbënte nëse gjaku apo sekrecionet shihen, sepse sytë janë një mënyrë sesi mund të merret Ebola.

CDC thotë se një tapet apo mbulesë që është e ndotur me gjak apo lëngje trupi duhet të trajtohen si materiale shumë të rrezikshme dhe të dezinfektohen në të njëjtën mënyrë.

Sipërfaqet e lagura kanë pak më shumë mundësi sesa ato të thata të përmbajnë virusin, thotë Dr. Arnold Monto, profesor i etimologjisë në Universitetin e Miçiganit. Por dikush i cili për shembull ulet në një ndenjëse avioni ku më parë ishte një i prekur nga Ebola nuk duhet të shqetësohet, thotë ai.

Edhe përdorimi i një mbështetëseje krahu të përbashkët në avion, nuk është për t’u shqetësuar. “Djersa është një mënyrë që ka pak gjasa për të transmetuar Ebolën”.

Megjithatë, virusi Ebola nuk është shumë i dukshëm deri në çastin kur fillojnë të shfaqen simptomat. “Njerëzit me Ebola nuk infektojnë të tjerët derisa ata sëmuren”, thotë Schaffner. Megjithëse pacientja Vinson raportoi temperaturë 37.5 granë Celsius përpara fluturimit, duket se ajo ishte ende në fazat e para.

Pacienti është i rrezikshëm në çastin kur ka temperaturë shumë të lartë dhe është tepër i sëmurë. Departamenti Amerikan i Transportit, sipas rregullave të tij, i lejon linjat ajrore të mos pranojnë udhëtarë që kanë sëmundje të rrezikshme.

Por është e pazakontë që dikush i cili është rastësisht në të njëjtin fluturim me një të prekur nga Ebola të shqetësohet për transmetimin e saj, vetëm nëse i sëmuri është në fazat e të vjellës apo gjakrrjedhjes.

Dikush do kishte të drejtën të shqetësohej nëse ai apo ajo pastruan të vjellën apo gjakun e një pacienti të sëmurë.

Ata që sëmuren nga Ebola janë zakonisht personat që kujdesen për të prekurit nga Ebola.

Por Schaffner thekson se është një skenar jo i mundshëm. Për t’u infektuar “individi duhet të ketë kontakt shumë të afërt” me pacientin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat