Lindjet me prerje cezariane po shënojnë rritje

Shëndetësia

Lindjet me prerje cezariane po shënojnë rritje

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 13:30

Derisa në vitin 2000 nga numri i përgjithshëm i lindjeve vetëm 7 për qind ishin me prerje cezariane, në vitin 2013 kjo shifër ka arritur në 24%. Kjo ishte një ndër temat që u disktua në ditën e parë të kongresit të organizuar nga Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Kosovës, që po mbahet në Prishtinë.

Në Kongresin dyditor të gjinekologëve dhe Obstetërve të Kosovës, po trajtohen tema të ndryshme. Një nga shqetësimet e mjekëve ishte edhe rritja e vazhdueshme e numrit të lindjeve me prerje cezariane. Gjatë prezantimit të punimit të tij Dr Shefqet Lulaj, foli për disa nga arsyet e rritjes së këtij numri. Sipas tij, lindjet në moshë të shtyer si dhe nënat e reja nuk dëshirojnë të përjetojnë dhimbje gjatë procesit të lindjes. Lulaj tha se kjo formë e lindjes po u shkon në favor klinikave private. Por ai ka një këshillë për gratë.
"Lindja normale është më e mirë se sa ajo me prerje cezariane, sepse ndërhyrja operative ngërthen në vete edhe komplikimet eventuale, çoftë gjatë operacionit pas operacionit dhe pasojat më vonë".

Gjinekologu Lulzim Maloku, e vlerëson si të rëndësishëm organizimin e këtij kongresi sepse, në të shkëmbehen përvoja profesionale.
"Kemi punime që kanë ardhur nga shtetet të cilat janë avancuar në diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre problemeve dhe konsideroj se eksperiencat të cilët ata i kanë përcjell do të jenë shumë të mirëseardhura që ne t`i aplikojmë te pacientët tanë dhe thjeshtë të parandalojmë komplikimet qoftë në shtatëzani por edhe në lindje".

Në kongres po marrin pjesë mjekë dhe ekspertë të kësaj fushe nga Shqipëria, Turqia, Kroacia, Italia, Maqedonia dhe vendet tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat