SHBA, masa të reja në luftën kundër Ebolës

Shëndetësia

SHBA, masa të reja në luftën kundër Ebolës

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 00:56

Presidenti Obama, fjalim mbi përhapjen e Ebolës

Presidenti amerikan Barak Obama sot do të vizitojë selinë e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve ku do të marrë pjesë në një konferencë me ekspertë të shëndetësisë mbi përhapjen e Ebolës në Afrikën Perëndimore.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti Obama në Atlanta do të shpallë masa të reja që qeveria e Shteteve të Bashkuara do të ndërmarr për të ndihmuar në luftën kundër sëmundjes, e cila ka vrarë më shumë se 2,400 njerëz në Afrikën Perëndimore.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha të hënën se për shkak të aftësive të saj, Shtetet e Bashkuara kanë një përgjegjësi të veçantë për të rritur kontributin e tyre në trajtimin e krizave ndërkombëtare.

Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 100 milionë dollarë për luftën kundër Ebolës dhe kanë dërguar rreth 100 punonjës të shëndetësisë në Afrikën Perëndimore. Por disa udhëheqës afrikanë thonë se përgjigja e Shteteve të Bashkuara nuk ka qenë e mjaftueshme.

Diplomatët thonë se të enjten Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent mbi krizën e Ebolës. Ata thonë se kjo do të jetë kriza e dytë shëndetësore që diskutohet nga Këshilli i Sigurimit, i cili në vitin 2000 mbajti një takim mbi Sidën.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Powers tha se përhapja e Ebolës ka shkaktuar një krizë të rëndë dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë së bashku për të frenuar përhapjen e saj.

Ebola ka prekur më shumë se 4,700 njerëz në Afrikën Perëndimore, duke u përhapur nga Guinea deri në Sierra Leone, Liberi, Nigeri dhe Senegal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat