Në MSH, një anëtarë në 14 borde

Shëndetësia

Në MSH, një anëtarë në 14 borde

Më: 2 korrik 2014 Në ora: 23:33

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ka gjetur shumë parregullsi në ministrinë e Shëndetësisë, ministri kjo që udhëhiqet nga Ferid Agani.

E gjetura e parë e këtij auditori është ajo për pagesat e bordeve dhe komisioneve të ndryshme të themeluara me vendime të Ministrit, ku auditori gjen shumë shkelje në zgjedhjen e anëtarëve të këtyre bordeve dhe pagesat për ta.

Ministria e Shëndetësisë ka harxhuar gjithsej 230,360 euro për pagesën e bordeve dhe komisioneve të ndryshme të krijuar në këtë ministri.

Auditori ka vërejtur se një anëtar ishte i përzgjedhur deri në 14 borde ose komisione, ndërsa sipas UA nr. 12/2007, respektivisht nenit 4 të këtij UA specifikohet se një anëtar nuk mund të jetë me tepër se në një bord.

Madje shuma e pagesës për këta anëtarë ka arritur deri në 17,880 euro për një vit.

E disa prej anëtarëve, sipas auditorit madje nuk kanë qenë as punonjës të MSH-së, duke u kompensuar kështu në mënyrë retroaktive përmes payrollit, e kur kjo nuk ka mjaftuar, Ministria e Shëndetësisë i ka paguar ata nga kategoria e subvencioneve që vlera e harxhuar është 4,200 euro.

“Rreziku Pagesat për pjesëmarrje në borde dhe komisione janë në kundërshtim me nenin 80 të LMFPP ku përcaktohet se shërbyesit civil ose zyrtarët që caktohen në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik, nuk kanë të drejtë të pranojë kurrfarë kompensimi shtesë për këtë shërbim. Po ashtu caktimi në më shumë se një bord apo komision është në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Qeverisë. Këto shkaktojnë shpenzime të parregullta dhe të pa arsyeshme për Ministrinë”, thuhet në raportin e auditorit të përgjithshëm.

Në raportin e Auditorit po ashtu thuhet se kjo ministri nuk ka ditur të menaxhojë me shfrytëzimin e mjeteve të kategorisë së investimeve kapitale. Kjo ministri, sipas auditorit ka arritur që të shfrytëzoj vetëm 57% të buxhetit për investime kapitale. Kjo sipas auditorit, paraqet një performa ncë të dobët buxhetore. Edhe dinamika e shpenzimeve nga kjo kategori ishte në s’përputhje me planin, thuhet në raportin e auditorit, pasi vetëm në tremujorin e fundit të vitit janë shpenzuar 3,682,850€ ose 43% e shpenzimeve vjetore të kësaj kategorie.

Auditori po ashtu ka gjetur shkelje edhe në QKUK dhe në AKPM, institucione këto që janë nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë. Në këto dy institucione, sipas auditorit, ka pasur emërime në pozita të cilat nuk ishin të parapara me organogram.

Po ashtu, auditori thotë se në këto dy institucione janë bërë avancime në 12 raste në QKUK dhe në 15 raste në AKPM janë rritur koeficientet, jo në pajtim me rregulloret e aplikueshme.

“Dobësitë e lartëpërmenduara janë shkelje e dispozitave ligjore, krijojnë kosto shtesë dhe mund të ndikojnë negativisht në performancën e stafit që nuk është avancuar. Rekomandimi 13, që Ministri duhet të sigurojë që të gjit ha avancimet e stafit dhe ngritja e pagave të jetë në pajtim me Ligjet e aplikueshme dhe politikat e Ministrisë”, thuhet më tutje në raport.

Auditori, thotë se procesi i menaxhimit të subvencioneve në përgjithësi ishte jo shumë efikas dhe si i tillë duhet të përmirësohet.

Sipas auditorit, as Departamenti Farmaceutik i cili është përgjegjës për menaxhimin, e barnave të Listës Esenciale (LE), nuk ka arritur të sigurojnë menaxhim efikas të barnave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat