Ja hapat e duhur që duhet të zbatoni përpara se të bëni mamografi

Shëndetësia

Ja hapat e duhur që duhet të zbatoni përpara se të bëni mamografi

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 08:11
Foto ilustrim

Mamografia është një ekzaminim imazherik, me nivele shumë të ulëta të ekspozimit ndaj rrezatimit, që evidenton ndryshimet në strukturën dhe dendësinë e gjirit: si për shembull, formacionet e kalcifikuara (mikro kalcifikimet). Ajo shërben për depistimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe është një ekzaminim plotësues, krahas palpimit dhe ekos së gjirit.

Kur duhet kryer mamografia dhe a ka nevojë për përgatitje specifike?

Mamografia duhet të kryhet në javën e dytë të ciklit menstrual, ose një javë para ardhjes së menstruacioneve. Në këto faza të ciklit, gjendrat e gjirit janë të relaksuara: nga njëra anë gjiri bëhet më pak i ndjeshëm ndaj presionit, dhe nga ana tjetër jep mundësinë që të përftohet një imazh cilësisht më i mirë. Mjekët përjashtojnë kategorikisht gratë dhe vajzat shtatzëna nga ky ekzaminim. Ditën e kryerjes së mamografisë duhet evituar përdorimi i deodorantëve, solucioneve apo pudrave, sepse për shkak të përmbajtjes së tyre mund të evidentohen në formën e grimcave të vogla dhe të ndikojnë në rezultat.

Si kryhet mamografia?

Ekzaminimi kryhet me pacienten në pozicionin drejt. Gjiri vendoset mbi një tavolinë radiografike dhe më pas shtypet butë. Për të përftuar një imazh sa më cilësor duhet të kryhet mirë shtypja, por jo aq sa të shkaktojë dhimbje. Për depistim nevojiten dy pamje për secilin gji: njëri nga lart dhe tjetri i pjerrët në anë. Ekzaminimi zgjat vetëm pak minuta, imazhet me rreze X përftohen në formën e një filmi radiografik, apo paraqiten në monitor ku edhe interpretohen nga mjeku radiolog.

Kur këshillohet të kryhet mamografia?

Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e këtij ekzaminimi janë:

1.Zbulimi i ndonjë nodusi të dyshimtë ose të fortë gjatë vetëkontrollit që ka bërë pacientja, apo që ka zbuluar mjeku gjatë palpimit (prekjes) të gjirit.

Eko e dyshimtë e gjirit, pa një konkluzion të qartë dhe përfundimtar

Dhimbje të pashpjegueshme ose ndryshime të lëkurës (si: gropëzime, tërheqje të lëkurës, çarje të gjirit)

Rrjedhje të sekrecioneve nga thithi i gjirit

Zmadhim i nyjeve limfatike nën sqetull

Rrezik i lartë për zhvillim të kancerit të gjirit (psh. nëse ka familjarë të prekur nga kanceri, nëse ka kryer ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e një tumori beninj në gji)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat