Shurupi kundër kollës që përgatitet në kushte shtëpiake

Shëndetësia

Shurupi kundër kollës që përgatitet në kushte shtëpiake

Më: 4 janar 2021 Në ora: 07:10
Foto ilustrim

Kolla është një nga simptomat më problematike të rënies së temperaturave dhe ndryshimit të stinëve.

Ajo është e bezdisshme, këmbëngulëse dhe nuk të lë të qetë.

Në vetvete kolla është një refleks i organizmit për të pastruar fytin nga sekrecionet dhe substancat irrituese.

Kolla që zgjat më pak se tre javë konsiderohet akute ndërsa kolla që zgjat më shumë se 8 javë është kronike.

Përveç medikamenteve farmaceutike, njeriu mund të përdorë edhe produkte apo bimë mjekësore të cilat janë mjaft të thjeshta për t’u gjetur madje mund t’i keni në shtëpinë tuaj.

Me to mund të përgatisni shurup dhe çaj me efekte shumë mirëbërëse.

Një prej kurave më të rekomanduara është me mjaltë dhe trumzë.

Trumza është një bimë aromatike që ka shumë vlera për shëndetin e mushkërive.

Ajo ndihmon në zhbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes, kundër kollës dhe bllokimit të kraharorit.

Nga ana tjetër, mjalti i lufton bakteret dhe inflamacionin. Ai është efikas kundër alergjive, kollës, konstipacionit dhe imunitetit të plogësht.

Si përgatitet një shurup i tillë?

Përbërësit:

30 gramë trumzë

3 filxhanë ujë

gjysmë filxhani mjaltë

Përgatitja:

Vendoseni ujin në zjarr dhe më pas shtoni trumzën.

Uleni temperaturën, mbyllni kapakun e çajnikut dhe lëreni të valojë deri sa uji të ketë avulluar duke u përgjysmuar në sasi.

Hiqeni çajnikun nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak.

Më pas kullojeni çajin dhe shtoni mjaltin duke e përzier me lugë druri deri sa të jetë tretur.

Mjalti nuk duhet hedhur kur lëngu është i nxehtë, sepse nxehtësia shkatërron të gjitha vlerat ushqyese dhe mjekësore të mjaltit.

Lëngun hidheni në një shishe qelqi dhe mund ta mbani në frigorifer për 6 javë.

Ekspertët rekomandojnë që të konsumoni nga 1 lugë çaji çdo disa orë për të zbutur dhe eliminuar kollën.

Kjo kurë nuk rekomandohet për fëmijë nën dy vjeç dhe as për diabetikët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat