“Bomba në protesta dhe heshtja e institucioneve”, Tahiraj shpërthen me pyetje: A ka njerëz mbi ligjin në Kosovë?!

Politika

“Bomba në protesta dhe heshtja e institucioneve”, Tahiraj shpërthen me pyetje: A ka njerëz mbi ligjin në Kosovë?!

Nga: H.O. Më: 15 tetor 2026 Në ora: 17:14
Daut Haradinaj

Deklarata e Daut Haradinajt se gjatë protestave para Kuvendit kishte persona të armatosur me bomba dhe se deputetët nuk do të mund të largoheshin pa votuar ndryshimet në Ligjin për Specialen, ka nxitur reagimin e veprimtarit dhe analistit Saim Tahiraj. Në një prononcim për “Bota sot”, ai kërkon sqarime nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, duke ngritur pyetjen nëse ligji zbatohet njësoj për të gjithë.

Deklaratat e ish-deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, lidhur me protestat e 6 tetorit para Kuvendit të Kosovës, kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë publike dhe përgjegjësinë e institucioneve.

Haradinaj, gjatë një paraqitjeje në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, më 14 tetor, pretendoi se shumë protestues kishin bomba me vete dhe se situata mund të kishte përfunduar me gjakderdhje, nëse deputetët nuk do t'i miratonin ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ai deklaroi se kryeministri Albin Kurti e kishte votuar ligjin nga frika dhe se deputetët nuk do të mund të largoheshin nga Kuvendi pa e përfunduar votimin.

“Pa gjakderdhje askush s'ish dalë”, deklaroi Haradinaj, duke shtuar se protestuesit nuk kishin qenë duarthatë.

Tahiraj: Deklaratë më tepër se shqetësuese

Në një prononcim për “Bota sot”, veprimtari dhe analisti Saim Tahiraj e ka cilësuar deklaratën e Haradinajt si tepër shqetësuese, duke kërkuar që institucionet kompetente të sqarojnë rrethanat.

“Një deklaratë e tillë nga një ish-deputet është më tepër se shqetësuese”, shprehet Tahiraj.

Sipas tij, informacionet e bëra publike për persona të armatosur në protesta duhet të trajtohen me seriozitet nga organet e rendit dhe drejtësisë.

“Të deklarosh se në protesta ka pasur persona të armatosur me bomba dhe, njëkohësisht, të mos reagosh për t’i njoftuar organet e policisë, të cilat janë të thirrura për zbatimin e ligjit, është çështje që kërkon një hetim serioz nga organet kompetente të Republikës së Kosovës”, thekson ai.

Image
Saim Tahiraj

A i njihte Haradinaj personat që pretendon se kishin bomba?

Tahiraj ngre pyetje për identitetin e personave të përmendur nga Haradinaj dhe për mënyrën se si ishin trajtuar informacionet për armët e pretenduara.

“Kjo deklaratë ngre shumë pyetje para opinionit publik: Kush ishin ata persona? A i njihnit apo jo? Nëse nuk i njihnit, pse nuk e lajmëruat policinë, duke qenë se keni ushtruar funksionin e deputetit dhe e njihni përgjegjësinë që buron nga ligji?”, pyet Tahiraj.

Ai kërkon që institucionet të sqarojnë nëse kanë pasur informacione për praninë e personave të armatosur dhe nëse janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Sipas tij, këto çështje nuk duhet të mbeten vetëm në nivelin e deklaratave publike, por të shqyrtohen mbi bazën e provave dhe legjislacionit në fuqi.

Tahiraj ngre çështjen e barazisë para ligjit

Veprimtari shpreh shqetësimin se disa individë mund të krijojnë përshtypjen se pozita apo ndikimi i tyre politik i vendos mbi përgjegjësinë ligjore.

“Edhe sot, sikurse në periudhën e luftës dhe pas saj, duket se disa persona që konsiderohen të ‘fuqishëm’ vazhdojnë të sillen sikur mund ta bëjnë ligjin vetë, duke mos respektuar ligjet e miratuara nga vetë institucionet e shtetit”, deklaron ai.

Tahiraj përmend edhe rastin e Gani Gecit, duke bërë një krahasim mes trajtimit të atij rasti dhe pretendimeve për persona të armatosur gjatë protestave.

Sipas tij, Geci është arrestuar lidhur me një kërcënim individual dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Duke iu referuar deklaratave të Haradinajt, Tahiraj kërkon të dijë përse nuk ka pasur një reagim të qartë institucional ndaj pretendimeve për rrezikimin e sigurisë së deputetëve.

“Nëse, siç pretendohet në deklaratën e ish-deputetit, Kuvendi i Kosovës ishte rrethuar nga demonstrues të armatosur me bomba dhe armë të tjera, madje kishte pasur edhe kërcënime për gjakderdhje ndaj deputetëve, atëherë lind pyetja: Pse nuk pati reagim të qartë dhe të vendosur nga institucionet përkatëse të sigurisë dhe drejtësisë?”, shprehet Tahiraj.

Kërkohet sqarim institucional

Për Tahirajn, çështja shkon përtej përplasjes politike rreth Ligjit për Specialen. Ai vlerëson se institucionet duhet të dëshmojnë se askush nuk përjashtohet nga përgjegjësia ligjore për shkak të funksionit apo ndikimit të tij.

“Kësaj nuk mund t’i thuhet drejtësi nëse ligji zbatohet në mënyrë të pabarabartë. Ky nuk është shteti serioz për të cilin kemi dhënë aq shumë si popull”, vlerëson ai.

Në përfundim, Tahiraj thekson se barazia para ligjit është një nga parimet themelore të shtetit demokratik dhe se çdo pretendim për rrezikim të sigurisë publike duhet të shqyrtohet nga organet kompetente.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të jetë i mbrojtur nga përgjegjësia vetëm për shkak të pozitës apo ndikimit të tij”, përfundon Tahiraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat