Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftua komunitetin e biznesit se Kosova është pranuar në sistemin ndërkombëtar ATA Carnet, një mekanizëm që lehtëson qarkullimin e përkohshëm të mallrave dhe krijon mundësi të reja për bizneset vendore në tregjet ndërkombëtare.
Njohësi i ekonomisë, Muhamet Spahiu e ka vlerësuar pozitivisht zbatimin e ATA Carnet, duke thënë se ai lehtëson tregtinë dhe redukton barrierat administrative për bizneset kosovare.
Sipas tij, ndikimi mund të jetë veçanërisht pozitiv për kompanitë që marrin pjesë në panaire dhe ekspozita jashtë vendit.
“Së pari, këto lehtësira duhej të kishin ndodhur vite më parë.
Por më mirë vonë se kurrë!
Gjithsesi e vlerësoj pozitivisht, sepse është një hap konkret drejt lehtësimit të tregtisë dhe integrimit të bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare. Për një ekonomi të vogël si Kosova, çdo mekanizëm që redukton barrierat administrative dhe kostot e biznesit është i rëndësishëm.
Ndikimi mund të jetë pozitiv, sidomos për kompanitë që marrin pjesë në panaire, ekspozita apo operojnë me pajisje dhe mostra jashtë vendit. Megjithatë, duhet të jemi realistë: ATA Carnet nuk është në vetvete një instrument që gjeneron rritje ekonomike, por një mekanizëm që e lehtëson aktivitetin ekonomik dhe mund të ndihmojë në krijimin e mundësive të reja” – shpreh ai për “Bota sot”.
Spahiu ka theksuar se përparësia kryesore e ATA Carnet është thjeshtimi i procedurave doganore dhe lehtësimi i pjesëmarrjes së bizneseve kosovare në panaire ndërkombëtare.
Ai ka vënë në dukje se suksesi i këtij instrumenti do të varet nga përdorimi real nga bizneset dhe ndikimi i tij në eksporte e konkurrueshmëri.
“Përparësia kryesore është thjeshtimi i procedurave doganore dhe shmangia e pagesës së detyrimeve për mallrat që hyjnë përkohësisht në një shtet dhe më pas rieksportohen. Kjo mund t’ua lehtësojë kompanive kosovare pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare, promovimin e produkteve dhe krijimin e kontakteve të reja tregtare.
Në fund, rëndësi ka që ky instrument të mos mbetet vetëm një mundësi në letër, por të shfrytëzohet realisht nga bizneset. Suksesi duhet të matet me përdorimin e tij, rritjen e ndërkombëtarizimit të kompanive dhe, në afat më të gjatë, me ndikimin në eksporte dhe konkurrueshmëri”, thotë ai.