Ngritet alarmi pas shpërthimit në veri, paralajmërohen sulme të reja – ja kush qëndron prapa tyre!

Politika

Ngritet alarmi pas shpërthimit në veri, paralajmërohen sulme të reja – ja kush qëndron prapa tyre!

Nga: A.M. Më: 22 shtator 2023 Në ora: 19:59
Pamje nga shpërthimi në veri

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në mesnatë në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, e cila është e banuar me popullatë të përzier.

Lajmi u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.

“Pas daljes në vend të ngjarjes së ekipit të specializuar dyshohet se kemi të bëjmë me shpërthim të granatës së dorës M75”, bëri të ditur Elshani.

Përveç dëmeve në një veturë, nuk u raportohua për të lënduar.

Pas këtij, shpërthimi reaguan ashpër edhe ndërkombëtarët, përfshirë ambasadorin amerikan, ku kërkuan zbardhjen e menjëherëshme të këtij rasti.

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Së pari, ai u shpreh se situata në veri është si pasojë e mungesës së strategjisë për trajtimin e kësaj pjese të vendit që nga viti 1999 e këtej.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Po ashtu, vlerësoi se siguria në pjesën veriore është e brishtë, që nga shtatori i vitit 2021.

“Situata në veri është pasojë e pengesave politike që s’kanë pasur një strategji se si të trajtohet veriu që nga 99 e tutje e ku kemi pasur në disa periudha një intenzitet të ulut të cenimit të sigurisë në atë pjesë.

Siguria në veri që nga shtatori 2021 ka pësuar rrënie nga zhvillimet që janë karakterizuar nga grupet kriminale e madje edhe terroriste të shpallur nga institucionet politike me vendim nga puna e sektorit të sigurisë”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Krhas kësaj, potencoi se situata po bëhet edhe më e ndërlikuar, pas takimit të fundit Kurti-Vuçiq.

“Pas dështimit të takimit politik në Bruksel me 14 shtator, situata po bëhet më e paqartë në atë se si do duhej t’i qasemi kësaj pjese si rezultat i pengesave të bëra edhe tani nga niveli diplomatik dhe ai i sigurisë (NATO) për lëvizjen e trupave në atë pjesë pakoordinim”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë, paralajmëroi edhe më shumë veprime të tilla në javët e ardhshme, ku tha se pas tyre qëndrojnë Vuçiq dhe Vulin.

“Mund të presim veprime të tilla në javët në vijim si pasojë e presionit për normalizim të situatës politike në mes dy vendeve dhe këto sulme janë tregues që Serbia dhe Beogradi i Aleksandër Vuçiqit e Vulinit janë sponzorues të tyre”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat