Takimi i radhës në Bruksel, vjen thirrja për Lajçakun – ja si të veprojë me çështjen e dinarit!

Politika

Takimi i radhës në Bruksel, vjen thirrja për Lajçakun – ja si të veprojë me çështjen e dinarit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 maj 2024 Në ora: 08:07
Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq

Kosova dhe Serbia tash e një kohë janë duke realizuar takime në Bruksel, në lidhje me çështjen e dinarit.

Mirëpo, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për arritjen e një marrëveshjeje në lidhje me këtë temë, ‘problemi’ ende nuk është zgjidhur.

Së fundi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bëri të ditur se Kosova dhe Serbia do të takohen për t’i vazhduar bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje rreth vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.

Stano përmes konferencës për media ka thënë se BE-ja pret që palët të jenë të gatshme për të arritur kompromis.

“Lajçaku ka ftuar palët nga dyja anët të vazhdojnë diskutimet. Do të takohen të mërkurën në Bruksel, do të vazhdojmë diskutimet për të gjetur zgjidhje të përkohshme të qëndrueshme, të prekur nga vendimi i BQK-së. BE-ja pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet e gatishmëri për të arritur kompromis. Shpresoj që palët të sillen në frymë evropiane e të arrijnë në kompromis. Nuk varët çfarë duam, por gatishmërinë e dyja palëve për të arritur kompromis”, ka thënë Stano.

Po ashtu, në lidhje me këtë reagoi edhe emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ku u shpreh i bindur se do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit.

Lajçak, konfirmoi se do të jetë nikoqir i takimit të kësaj jave mes ndërmjetësuesve nga Kosova dhe Serbia.

Do të jem nikoqir i krye-negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për bisedimet me synim gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme të qëndrueshme për të gjithë ata që janë prekur nga rregullorja e BQK-së. Jam i bindur se mund të arrihet një marrëveshje, por kjo lyps fleksibilitet dhe kompromis nga dy palët”, shkroi ai në Facebook.

Shabani: BE-ja nëpërmjet zëdhënësit Stano po i bën presion të paarsyeshëm Kosovës

Image
Amir Shabani

Së pari, në lidhje me këtë temë, foli në një prononcim për “Bota sot”, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Së pari, ai tha se këtë takim e sheh si presion ndaj Kosovës dhe vendimeve të qeverisë së saj.

Unë këtë takim më shumë e konsideroj si trysni ndaj Kosovës dhe vendimeve qeveritare të saj, sesa gjetja e një metode të përbashkët për të dy palët.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe demokratik dhe si e tillë sjell vendime konform kushtetutës dhe interesit publik të vendit dhe qytetarëve”, theksoi ai.

Krahas kësaj, ai kërkoi nga Lajçak të bëj thirrje në respektimin e plotë të vendimit për dinarin dhe kësaj çështjeje t’i jepet fund.

“Në këtë rast, BE-ja nëpërmjet zëdhënësit Stano po i bën presion të paarsyeshëm Kosovës rreth asaj se në këtë vend valutë e vetme është euro, e jo edhe dinari serb. Kjo është normale në çdo vend, sepse asnjë shtet nuk ka dy valuta të ndryshme sa i përket kombeve.

Lehtësimin që duhet sjellë emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, është që të bëj thirrje në respektimin e plotë të vendimit të Kosovës dhe se kjo çështje duhet mbyllur”, theksoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Halimi: Çështja e monedhës-dinarit të Serbisë është politizuar

Image
Jeton Halimi

Kurse, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime Evropiane dhe Globale, Jeton Halimi tha se çështje e dinarit është politizuar tej mase.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh optimist se në takimin e nesërm do arrihet një zgjidhje për dinarin.

Çështja e monedhës-dinarit të Serbisë është politizuar qëllimisht shumë, për me ndërru drejtimin e politikës së dështuar të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Shpresoj shumë që në këtë rund të bisedimeve me ndërmjetësimin e Lajçakut, të gjendet një zgjidhje dhe shkohet me tutje me negociata mes palëve”.

Gjithashtu, ai përmendi disa tema të brendshme që janë politizuar, ndër të tjera foli edhe për Asociacionin.

Kurti qëllimisht temat e brendshme të Kosovës i ka dërgu në BE, rasti i monedhës-dinarit, mos- dërgimi i draft-statutit i për themelimin e "Zajednicës", dikur e quante kështu Kurti, me ardhjen e tij në pushtet ia ndërroj emrin në "Vetë menaxhim". Kjo, Kosovës do t’i kushtojë me mos pranim në Këshillin e Evropës, e di shumë mirë Kurti që është obligim shtetëror dhe ligjor i Kosovës ta themelojë “Zajednicën-Vetë menaxhimin”.

Me dërgimin e draft statutit në Gjykatën Kushtetuese Kosovës Albin Kurti do të kapitulloj politikisht dhe më s’ka me çka i mashtron popullatën e Kosovës, për këtë kanë vdekur Arben Xheladini e Mon Balaj, është djeg Prishtina nga Kurti dhe aktivistët e tij të VV-së dhe në Kuvendin e Kosovës është hedh gaz lotsjellës”, përfundoi Jeton Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat