Mesazhet e fuqishme të Vjosa Osmanit nga Tirana/ Analistët: Presidentja vuri në dukje nevojën alarmante të kombit shqiptar

Politika

Mesazhet e fuqishme të Vjosa Osmanit nga Tirana/ Analistët: Presidentja vuri në dukje nevojën alarmante të kombit shqiptar

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 shtator 2023 Në ora: 13:51
Presidentja Osmani në pritjen o organizuar nga Presidenti Begaj

Përballë një plani të përbashkët të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putinin, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për bashkimin e shqiptarëve gjatë vizitës që ka zhvilluar në Shqipëri.

“Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor. Duke e zbatuar në përpikëri planin që Putini e pati zbatuar në vitin 2014 kundër Ukrainës, Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë ta atakojnë sistemin e vlerave mbi të cilin qëndron Bashkimi Evropian dhe NATO. Pra, duhet ta shohim të gjithë pikturën e cila është shumë më e madhe sesa zhvillim në një vend apo në një rajon”, tha Osmani.

“Prandaj edhe në mbrojtje të këtyre vlerave të përbashkëta dhe të asaj që e kemi arritur me shumë mund e sakrificë, që është shteti i pavarur e sovran i Kosovës në kufijtë aktualë, duhet të qëndrojmë të bashkuar të gjithë shqiptarët në rajon në radhë të parë, por bashkë me aleatët tanë që na kanë ndihmuar të vijmë deri te ky moment”, deklaroi ndër tjerash Osmani, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin shqiptar, Bajram Begaj.

Unifikimi i shqiptarëve

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, vizita e presidentes së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, në Shqipëri është e një rëndësi jetike në përpjekjet e saj për unifikuar qëndrimin e të dy vendeve në politikën, diplomacinë dhe gjeopolitikën rajonale e më gjerë.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Ishte kënaqësi e veçantë të shihje se si dhe sat ë harmonizuara janë qëndrimet e përbashkëta të presidentit të Shqipërisë, Bajram Bega dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo është meritë e veçantë e të dy kryetarëve të të dy shteteve tona. Gjatë kësaj vizite zonja Osmani dhe zoti Begaj dhanë mesazhe bashkëpunimi. U mirëkuptuan plotësisht për të bashkërenduar përpjekjet e të dy shteteve në plotësim të interesave tona kombëtare. Por mesazhi i zonjës Osmani se “Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiçi në Ballkanin Perëndimor”, është një thirrje për të vënë në dukje nevojën alarmante që shqiptarët kanë për t’u unifikuar si komb. Vetëm unifikimi I mendimeve dhe qëndrimeve rreth ideve, opsioneve dhe alternativave që mbron lidershipi I Kosovës është rruga e fitores sonë në përballjen që Kosova ka me Serbinë”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë Bytyçi, Osmani dërgoi një mesazh të qartë direkt nga Tirana.

“Prandaj dhe mesazhet e presidentes Osmani shkojnë në paralajmërimin që së paku shqiptarët të kenë kujdes në vlerësimin e ngjarjeve dhe pozicionet që mbajnë rreth çështjeve rajonale, sidomos atyre të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai mesazh lidhet me faktin se asnjë politikani shqiptar nuk i lejohet të mbajë marrëdhënie miqësie e bashkëpunimi me Aleksandër Vuçiq, sa kohë që ai nuk e njeh realitetin e Kosovës së pavarur dhe sa kohë nuk orientohet plotësisht nga aleancat perëndimore. Mesazhi tjetër i saj është se asnjë lider e politikan shqiptar nuk duhet të jetojë me iluzione dhe të presë se Aleksandër Vuçiq është shndërruar në një lider që predikon paqen. Madje sa më shumë që ai flet për paqen, aq më shumë përgatit konflikte të pandërprera”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej Bytyçi thekson se Osmani po kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që mos t’i besojnë Aleksandër Vuçiqit.

“Por fjala e presidentes Osmani është mesazh edhe për miqtë e Kosovës. Ajo u kërkon atyre që ta testojnë më shumë presidentin e Serbisë dhe të mos besojnë aq lehtësisht në mashtrimet e gënjeshtrat e tij. Makiazhi që Vuçiç vendos në fytyrën e tij ndryshon çdo ditë ngjyrë dhe nuanca. Duhet kujdes dhe vëmendje. Nuk mund të besohet qorrazi te një president, i cili ka në nomenklaturë shefin e shërbimit sekret të vendit të tij e megjithëkëtë mban një të tillë, i cili dekonspiron edhe opozitarët e Vladimir Putin në Serbi. Skandale të tilla nuk ndodhin në një vend ku presidenti është demokrat dhe në aleancë me vendet e demokracive perëndimore”, përfundon Bytyçi për “Bota sot”.

Edi Rama duhet ta kupton se është momenti i fundit që të rreshtohet krah Kosovës

Image
Gani Qarri

Kurse analisti Gani Qarri thotë se thirrja e presidentes Osmani është një apel vëllazëror për bashkëpunim ndër shqiptar.

Nisur nga zhvillimet dramatike të cilat, me luftën okupuese të Rusisë në Ukrainë dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë, në çështjet e brendshme të vendeve fqinje, që nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe deri në Kosovë, vijojnë të ndodhin në Evropë e rajon, Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, me plot të drejtë deklaroj në Tiranë se i gjithë rajoni është në një sfidë përballë një plani të përbashkët të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Duke qenë se ne vërtet jemi dy shtete por i takojmë të njëjtit popull dhe komb, deklarata e Presidentes Osmani, përveçse një tërheqje e vëmendjes, ishte edhe një apel vëllazëror për bashkëpunim e bashkërenditje më të theksuar veprimesh politike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe unitet më të fort ndërshqiptar për përballimin, sa më të lehtë të sfidave mjaft të rënda jo vetëm politike, që paraqiten pareshtur ndaj vendeve tona”, deklaron Qarri.

“Andaj, parë jo vetëm në kontekstin e Kosovës por edhe në tërë kompleksitetin e ndërhyrjeve ruse përmes Serbisë në Ballkanin Perëndimor, ashtu siç tha edhe Presidentja Osmani, shqiptarët vërtet duhet të tregohen më unik dhe të qëndrojnë të bashkuar, pasi ajo që po ndodh në veri, është në fakt një përpjekje për ta zbatuar edhe planin rus në rajon”, shton Qarri.

Sipas tij, Shqipëria dhe Edi Rama duhet ta kuptojë se është momenti i fundit që të rreshtohet krah Kosovës.

Kështu që veçanërisht, pas anashkalimit të Shqipërisë dhe mosftuarjes së Edi Ramës në takimin e mbajtur në Greqi, Shqipëria përkundër megalomanisë së sëmur të Edi Ramës, i cili ndërvite tentoi të vëllazërohej me forcë me Aleksandër Vuçiqin dhe ta dashuronte me "zor" Serbinë, më në fund, Shqipëria duhet ta kuptoj se sa të vetmuar janë shqiptarët në rajon dhe Ballkanin Perëndimor, kështu që është koha e fundit që të rreshtohet përkrah Kosovës, e cila si popull dhe shtet, është dashamirësja më e pa hile dhe më e madhe dhe e pa kushte e Shqipërisë!”.

“Madje bazuar në zhvillimet aktuale dhe gjendjen reale në rajon, ka ardhur koha që përfundimisht të krijohet një fond dhe front i përbashkët ekonomik dhe politik mbarë shqiptar përballë Serbisë hegjemoniste dhe vendeve tjera jodashamirëse ndaj shqiptarëve në rajon e më gjerë, sado që, ndoshta për momentin, ka pak gjasa për një akt të tillë anipse të domosdoshëm, kur merret parasysh afërsia që Edi Rama edhe sot shpreh me Vuçiqin, gjë që kërkon veprim me kujdes të vazhdueshëm të Kosovës dhe presidentes Vjosa Osmani, veçanërisht në raport me Edi Ramën”, përfundon për “Bota sot” analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat