Ish-ambasadori i Holandës zbulon çfarë do të ndodhë me veriun e Kosovës pas dorëheqjeve të policëve serbë

Politika

Ish-ambasadori i Holandës zbulon çfarë do të ndodhë me veriun e Kosovës pas dorëheqjeve të policëve serbë

Nga: A.Zh Më: 30 gusht 2023 Në ora: 12:15
Robert Bosch

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, kanë shprehur shqetësimin e tyre për dorëheqjet që po ndodhin mes policëve të komunitetit serb në Kosovë. 7 policë të rinj serb së fundmi dhanë dorëheqje, vetëm një muaj pasi morën detyrën.

Bashkimi Evropian, përmes një deklarate publike, ka thënë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës duhet të reflektojnë dhe përfaqësojnë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe e mbrojnë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është shprehur se çdo lloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe akterët e lidhur me Serbinë, është e papranueshme dhe duhet të ndalet menjëherë.

Situatë të ngrirë lidhur me këtë çështje parasheh se do të ndodhë ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch. Për gazetën “Bota sot”, ai parashikon që serbët do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime, për të treguar se “Kosova duhet të jetë nën Serbi”.

“(Situata) Nuk do të përshkallëzohet, por do të jetë e ngrirë. Serbët do të bëjnë gjithçka për të marrë llojin e tyre të ‘normalizimit’ që do të thotë Kosova nën Serbi”, ka pohuar Robert Bosch.

Ai është pyetur nga gazeta se si duhet të veprojnë autoritetet në Kosovë, që zgjidhet ngërçi në veri të vendit.

“Tregoni herë pas here se Beogradi po bën gjithçka për të mos integruar serbët në Kosovë, pasi ata nuk e duan Kosovën dhe serbët vendas që duan të jetojnë në paqe janë të kërcënuar”, është shprehur ish-ambasadori për “Bota sot”.

Pas dorëheqjeve të policëve të rinj serb, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë për shkelje të Marrëveshjeve të Brukselit dhe për shkelje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Veprime të tilla janë shkelje flagrante e marrëveshjeve të Brukselit, që kanë paraparë që një numër i policëve të jenë prej komunitetit varësisht prej kompozicionit etnik…Pres nga BE-ja të marrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkeljen e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presioni ndaj policëve serbë vjen nga Serbia dhe strukturat e saj, prandaj presim që dënimi i këtyre akteve të jetë me dënimin e autorëve, autori është në Beograd”, ka deklaruar ajo.

Rreth 550 policë serbë në veri – në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë patën shpallur konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74 të tillë.

Prej tyre, 46 është raportuar se kanë qenë nga komuniteti serb./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat