Profesori nga Amerika “shpërthen” ndaj deputetëve: Të pa edukuar, grindavecë, shajnë dhe ofendojnë/ Ka një pyetje për PDK-në

Politika

Profesori nga Amerika “shpërthen” ndaj deputetëve: Të pa edukuar, grindavecë, shajnë dhe ofendojnë/ Ka një pyetje për PDK-në

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 prill 2023 Në ora: 10:20
Kuvendi i Kosovës

Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi ka aktivizuar kritikën opozitare në drejtim të Qeverisë së Kosovës për çështjen energjetike.

Pas Martin Berishajt tashmë në këtë diskurs ka hyrë edhe emri i kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqit i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilën ia besoi ekzekutivi duke e emëruar atë.

E kreu i këtij ekzekutivi, Albin Kurti pati akuza ndaj prokurorisë duke thënë se ata funksionojnë kundër qeverisjes së tij. Ndaj Kryeministrit reagoi opozita, duke e akuzuar Kurtin se po tenton kapjen e sistemit të drejtësisë.

Rreth përplasjes në Kuvend ka reaguar profesori nga Amerika, Binak Maxharraj.

Sipas Maxharrajt, në Kuvend ka njerëz që nuk dinë të shkruajnë, janë njerëz të pa edukuar dhe që shajnë e fyejnë.

“Unë kam folur edhe rreth krizës, kaosit që e ka kapluar Parlamentin e Kosovës, me ç’rast kryeparlamentari Glauk Konjfuca deklaroi haptas se kështu ky parlament nuk mund të vazhdojë punën. I revoltuar për një situatë të tillë në Parlament të Kosovës, theksova se në të gjithë legjislaturat ka pasur dhe ka njerëz të ditur, të urtë, por një pjesë e madhe janë militantë të partive që as emrin e tyre nuk dinë ta shkruajnë, janë njerëz të pa edukuar, grindavecë ku më shumë dëgjohen sharjet, fyerjet ndaj njëri tjetrit, hyjnë dhe dalin në sallë, i zbatojnë vetëm urdhrat e liderëve partiakë”, shprehet Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Kreu ekzekutivit teksa po fliste të enjten në Kuvend u mor më shumë me reagimet pas arrestimit të Krasniqit, sesa me vetë prangosjen e tij.

Për rastin e Krasniqit, Kurti ka kundërshti me prokurorinë. Rrjedhimisht, ai po beson se drejtësia kosovare po funksionon në mënyrë selektive.

Madje, shton se “Krasniqi ia solli KEK’ut 107 milionë euro në vitin 2022“, duke ia llogaritur si sukses menaxherial e njëkohësisht duke e përdorur si “argument mbrojtës” ndaj tij.

“E dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë hetuar nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, ka thënë Kurti.

Për arrestimin e Krasniqit gishti i pushtetit është drejtuar kah prokuroria, madje ka edhe emër konkret – Blerim Isufaj. Ky i fundit që synon të jetë kryeprokuroror i shtetit, u përmend nga Kurti si një element që prokuroria e shtetit po vepron kundër Qeverisë së tij.

“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, ndaj pushtetit të ri të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanaj e kategorizoi me vetëvrasje ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror do të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit”, ka deklaruar Kurti.

E këto fjalë të Kurtit janë parë si shqetësuese nga opozita të cilët kanë hedhur kritika të ashpra në drejtim të Qeverisë.

Ndonëse në seancën plenare të 20 prillit nuk ishte në rend dite çështje e arrestimit të kryeshfit të KEK-ut, opozita ka qenë këmbëngulëse që kjo çështje të diskutohet.

Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e ka lidhur këtë arrestim edhe me Martin Berishajn, i cili nga mediat ballkanike është përmendur si i dyshuar për keqpërdorim mjetesh të energjisë me kompaninë GEN me seli në Serbi.

Përgjithësisht kritika e opozitës ndaj Qeverisë lidhet me dy emra Martin Berishaj dhe Nagip Krasniqit – të dytë të lidhur me energjinë.

“Është hera e parë që KEK drejtohet nga një zyrtar i lartë i një partie politike. Pra nga drejtuesi i komitetit për energji të LVV-së, Nagip Krasniqi, personi në fjalë është arrestuar dje. Në kuadër të komisionit hetimor parlamentar që kemi punuar për 6 muaj, kemi nxjerrë në pah një mori të abuzimeve e keqpërdorimeve të kryeshefit të KEK. Pra i njëjti ka subvencionu fatura të energjisë elektrike pa vendim të bordit, drejt një kompanie private si KESCO dhe KEDS, ka negociu tendera njëburimor si drejtues i kompanisë energjetike më të madhe në vend, i njëjti ka ushtru ndikim mbi personat zyrtarë, i njëjti ka pas konflikt interesi, të gjitha këto janë raportuar në kuadër të komisionit hetimor parlamentar”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, sipas Maxharrajt, në Parlamentin e Kosovës ka shumë inate dhe aspak mirësi, shtyrje brrylash për interesat partiake, e më pak për interesat e vendit.

Sipas tij, është palejueshme që në Parlament të politizohen çështjet ligjore që nuk kanë përfunduar dhe që ende janë në duart e drejtësisë.

“Edhe në seancën e fundit, vazhdoi avazi me të vjetrën, me sharje, ofendime, denigrime ndaj njëri- tjetrit si të ishin “armiq” mes veti dhe jo të zgjedhurit e popullit. Seanca e fundit realisht as që ishte dashur të thirrej duke e pasur parasysh temën për të cilën do të diskutohej. Por, kjo seancë është thirrur me kërkesën e PDK-së për të debatuar për një çështje absurde lidhur me situatën në KEK pas burgosjes së Nagim Krasniqit, kryeshef që u karakterizua me përplasje midis deputetëve të opozitës dhe pozitës. Kërkesa, por edhe mbajtja e kësaj seance është përtej e turpshme duke e pasur parasysh burgosjen e Nagip Krasniqit që shërbejnë si arenë përplasjesh për asgjë dhe krejtësisht e panevojshme. Është e palejueshme që nëpër seanca të tilla të shpërthejnë deputetët opozitë e pozitë lidhur me çështjet e arrestimit apo të burgosjes së ndonjë individi. Është e palejueshme që në Parlament të politizohen çështjet ligjore që nuk kanë përfunduar dhe që ende janë në duart e drejtësisë. Kjo është një ndërhyrje flagrante në procedurat e drejtësisë. Pse u deshtë të thirret një seancë e tillë, e pa vend dhe e turpshme nga ana e PDK-së, pa e thanë fjalën e veta prokuroria dhe gjyqësisë. Por, siç duket PDK e ka mizën pas veshit dhe që konsiderohet si partia më me shumë të korruptuar që me siguri do të ballafaqohen me drejtësinë. A mos kanë menduar këta të PDK-së se në këtë mënyrë mund ta ‘frikësojnë arushën me shosh””, shton Maxharraj.

Të mërkurën e 19 prillit, KEK’u kishte ”mysafirë të papritur e të pakëndshëm”, me urdhër të Prokurorisë Speciale kishte nisur bastistja.

E nga ajo bastistje përfundoi duar-lidhur Nagip Krasniqi, kryeshef i KEK-ut nën dyshimin për Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimin e ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Këto dokumente të bastisura do t’i shërbejnë drejtësisë për ta hetuar rastin, tashmë prokuroria ka kërkuar nga gjykata që Krasniqit t’i shkaktohet masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat