Përkrahet nga SHBA dhe Turqia/ Ja çfarë duhet të përmbajë platforma evropiane për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Politika

Përkrahet nga SHBA dhe Turqia/ Ja çfarë duhet të përmbajë platforma evropiane për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Nga: P.R Më: 13 shtator 2022 Në ora: 22:02
Foto ilustrim

Sipas presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të dërguarit e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, dhe i dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak kanë propozuar një kornizë të re për bisedimet dhe negociatat në Bruksel, e cila duhet të çojë në një zgjidhje përfundimtare të afërt të të gjitha çështjeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë mes Kosovës dhe Serbisë.

E lidhur me këtë, profesor, doktor Enver Bytyçi shprehet se korniza e re e propozuar nga Lajçak, Plettner dhe Beaune synon përshpejtimin e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb.

Image
Prof.dr. Enver Bytyçi

 

“Tre përfaqësues të Evropës, përkatësisht i ngarkuar për dialogun nga BE, si dhe përfaqësuesit e kancelarit gjerman e të presidentit francez, erdhën në Prishtinë e në Beograd dhe u dhanë palëve në dialog një lloj platforme për ta përmbyllur tashmë atë. Kjo platformë nuk është publikuar, por nga sa kanë deklaruar aktorët përkatës rezulton se ajo synon përshpejtimin e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë”, deklaron Bytyçi.

Sipas tij, kjo kornizë duhet t’i përmbajë dy elemente.

“Platforma evropiane, e rakorduar edhe me SHBA-të dhe Turqinë, duhet me patjetër të ketë dy elementë: Përmbajtjen e marrëveshjes përfundimtare, pra epilogun e zgjidhjes dhe afatin kohor të mbylljes së bisedimeve. Si përmbajtja, pra ajo çfarë do të nënshkruhet, ashtu edhe afati në kohë kanë një synim të vetëm: - Stabilitetin, sigurinë, paqen dhe integrimin evropian të rajonit. Pra, është lufta në Ukrainë ajo që dikton një ritëm e qasje të re të bisedimeve dhe zgjidhjes së këtij konflikti. Falë këtij konflikti ndodhën dy gjëra: - Evropa u bashkua në një mendim të përbashkët për çështjen e zgjidhjes dhe ndërkohë aktorët jashtë evropiane dhe ata amerikanë erdhën te një emërues gjithashtu i përbashkët”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thekson se nëse do të ishin bashkë amerikanët, turqit dhe evropianët, atëherë dialogu Kosovë-Serbi tashmë do të ishte i përfunduar.

“Të jeni të sigurt se interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha për modalitetin dhe mënyrën e zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi e kanë çuar situatën e zvarritjes së kësaj zgjidhje për së paku 11 vite. Nëse do të ishin bashkë amerikanët, turqit, evropianët në këto modalitete dialogu do të kishte përfunduar me kohë. Por Franca kishte tjera opsione nga Gjermania. Gjermania të tjera nga ato që kishin SHBA-të dhe njëkohësisht Turqia të tjera nga të dy palët. Lufta në Ukrainë i ka bashkuar ato”.

Siç thotë Bytyçi, enigmë mbetet ajo se për çfarë opsioni janë pajtuar Fuqitë e Mëdha të interesuara për Ballkanin.

“Unë dua të besoj se përgjigjen e kësaj enigma e ka dhënë përfaqësuesi amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili thotë se zgjidhja nuk duhet të përfundojë me një zajednicë, e cila të bllokojë institucionet e shtetit të Kosovës. Pra që Asociacioni i komunave serbe në Kosovë të jetë thjesht një OJQ, e cila nuk merr vendime shtetërore, nuk bën ligje, nuk bllokon institucionet e shtetit të Kosovës. Dhe së dyti, siç tha Escobar, territor i Kosovës është i paprekshëm”, nënvizon profesor Bytyçi.

“Nëse respektohen këta dy elementë të ritheksuar nga amerikanët, atëherë një marrëveshje për Kosovën është e mundshme, pavarësisht disa lëshimeve të tjera që do të kërkohen. Çfarë mund të kërkohet. P.sh ekxtraterritorialiteti i Kishës serbe në Kosovë. Por për këtë qeveria e Kosovës ka mundësi të vendosë një kusht: Të shkëputet kisha ortodokse e Kosovës nga Patriarkana e Serbisë dhe më pas t’i njihet pronësia mbi manastiret e të plotësohen kërkesat e saj. Extraterritorialitet me varësi në Beograd nuk do të duhet të pranohet. Nuk duhet pranuar që kisha e një vendi tjetër, në rastin konkret, kisha serbe të ketë pronësi të trashëguar në Kosovë. Trashëgimia e kishës serbe në Kosovë do të sjellë më vonë pretendimin e trashëgimisë së shtetit të Serbisë në Kosovë. Në kushtet kur Beogradi ende elaboron tezën e „shpirtit dhe shtetit serb“ për Kosovën, do të jetë vetëvrasje nëse pranohet që Patriarkana e Serbisë të ketë të drejtë pronësore në Kosovë. Sipas kësaj formule i bie që edhe Patriarkana e Stambollit të kishte pronësinë e saj në Shqipëri. Por kjo nuk mund të ndodhë”, shpjegon Bytyçi,

Më tej, ai shton se formula e radhës mund të jetë që Kosova të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur.

“Ky kusht mund të tolerohet me kusht që në vendimmarrjen e Ballkanit të Hapur të përdoret vetoja. Pra që vendimet të merren vetëm me consensusin e të gjitha vendeve anëtare të këtij asosacioni. Kjo për shkak se duhet të mbrohet jo vetëm Kosova, por secili vend anëtar i tij nga hegjemonizmi i Serbisë. Por unë shoh që Open Balkans nuk do të ketë të ardhme. Sepse zgjidhja e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë bëhet me qëllim që vendet e rajonit, ndoshta me procedurë të përshpejtuar, të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Në këtë rast Open Balkan del menjëherë jashtë funksionit”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se e vetmja alternativë në këtë rast është që Beogradi të pranojë shtetin e Kosovës pa kushte.

“Gjithsesi Kosova ka në dorë që në kushtet e përparimit të ofensivës ukrainase kundër trupave pushtuese ruse në këtë vend, të imponohet në zgjidhje. Sepse Serbia nuk ka më alternativë Rusinë. Jo se trembet nga BE e SHBA, por se një Rusi e mundur në luftën e Ukrainës do të jetë barrë dhe jo ndihmë për kombin, popullin dhe shtetin e Serbisë. Këtë e kuptojnë edhe serbët sot. E vetmja alternativë në këtë rast është që Beogradi të pranojë shtetin e Kosovës pa kushte. Po ashtu të pranojë edhe shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërkaq Kosova nuk ka asnjë arsye të tërhiqet nga procesi i dialogut”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat