Rreziku nga spiunët rusë të GRU-së/ Pas alarmit të analistit amerikan – vjen thirrja urgjente për Qeverinë Kurti

Politika

Rreziku nga spiunët rusë të GRU-së/ Pas alarmit të analistit amerikan – vjen thirrja urgjente për Qeverinë Kurti

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 korrik 2022 Në ora: 09:49
Oficerë të tjerë të inteligjencës ushtarake ruse të GRU-së që shërbenin në Kosovë dhe BeH

Rusia që para fillimit të luftës në Ukrainë, kishte parashikuar disa skenarë konfliktesh në zona të ndryshme, aty ku nuk do të mund të arrinte me ushtrinë e vet, do ta bënin aleatët e saj.

Për këtë qëllim kishte vite që i kishte intensifikuar aktivitetet e paligjshme të shërbimeve të saj të sigurimit, si GRU-së, FSB-së etj.

Terrenin që e kanë krijuar projektet e tilla, ende janë problematike, dhe mund të shërbejnë për nxitje trazirash, përmbysje pushtetesh, shpërthim konfliktesh ndëretnike e ndërshtetërore.

Kësisoj, një rajon i ndjeshëm dhe i rrezikuar nga ndikimi rus është Ballkani Perëndimor.

Duke parë raportet dhe afërsinë e Serbisë me Rusinë, shtetet më të rrezikuara po dalin të jenë nga agjentët rusë, Kosova dhe Bosnjë Hercegovina.

Prandaj, ditë më parë analisti amerikan, DavidPhilips bëri një deklaratë të fuqishme, duke thënë se rusët që punojnë në OKB janë spiunë të GRU-së.

Kështu, kërkoi që Kosova t’i dëbojë këta diplomatë.

"Rusia gjithashtu duhet të jetë nën presion. Rusët që punojnë në misionin e OKB-së nuk janë diplomatë. Ata janë me GRU dhe duhet të trajtohen si spiunë. Qeveria e Kosovës duhet t'u heqë vizat dhe "diplomatëve" rusë t'u jepet 24 orë kohë për t'u larguar nga vendi. Informimi i Brukselit për këtë qëllim, nëse nuk autorizohet liberalizimi i vizave, do të rriste presionin ndaj BE-së, e cila dëshiron të shmangë mosmarrëveshjet që mund të përshkallëzojnë konfliktin”, ka theksuar më tej ai.

Mirëpo, analistët në prononcimin e tyre për “Bota sot” treguan si duhet të veprojë Kosova në këtë rast dhe cilat mund të jenë pasojat e një dëbimi të tillë.

Elezaj: Qeveria e Kosovës duhet t’i dëbojë menjëherë diplomatët (agjentët) rusë nga Kosova

Image
Rexhep Elezaj

Opinionisti Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se Qeveria e Kosovës është dashur t’i dëbojë të gjithë diplomatët rusë në kohën që BE-ja dhe SHBA-të vendosen sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj ushtarak në Ukrainë.

“Po, pa asnjë dyshim, Qeveria e Kosovës është dashur t’i dëbojë të gjithë diplomatët rusë, të cilët shërbejnë në kuadër të zyrës së UNMIK-ut në Kosovë, edhe pse janë të emëruar nga Sekretari i përgjithshëm i OKB-së sipas Rezolutës 1244 të KS, si dhe ata të Zyrës ndërlidhëse ruse në Prishtinë, njëjtë siç ka vepruar në tetor të vitit 2021, duke i shpallur dy diplomatë rus persona “Non-grata”.

Pra, Qeveria e Kosovës është dashur pa u hamendur fare t’i dëbojë diplomatët rusë nga Kosova në kohën kur BE-ja dhe SHBA-të vendosën sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj ushtarak në Ukrainë, duke anashkaluar faktin se diplomatët rus në Kosovë, qoftë në Zyrën ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë, qoftë ata të angazhuar në zyrën e UNMIK-ut në veri të Kosovës, janë agjent të shërbimit sekret rus SVR dhe GRU, të cilët nën petkun e diplomatit janë marrë dhe akoma merren me aktivitete spiunësh dhe agjentësh në llogari të interesave të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan”, deklaroi ai.

Sa i përket aspektit se sa do ishte i favorshëm një vendim tillë (dëbimi i diplomatëve rusë), Elezaj tha se për këtë duhet të bëhen analiza konkrete nga institucionet e sigurisë shtetërore të Kosovës, MPB-ja, ajo e jashtme si dhe AKI-ja.

“Se, sa do ishte i favorshëm për Kosovën akti i dëbimit të diplomatëve (spiunëve) rusë nga veriu i Kosovës që shërbejnë pranë UNMIK-ut, kjo pa dyshim, është çështje me të cilën duhet të merren dhe bëjnë analiza konkrete organet kompetente të sigurisë shtetërore të Kosovës, MPB-ja, ajo e jashtme si dhe AKI-ja, siç veprohet në çdo shtet të pavarur dhe sovran kur përfaqësues të huaj merren me veprimtari ilegale në dëm të shtetit ku veprojnë, mbase për çdo hap në këtë drejtim Qeveria e Kosovës do tëduhej që paraprakisht të koordinohej me miqtë tanë amerikan, me qëllim të marrjes së vendimeve diplomatike kundrejt provokimeve serbo-ruse për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor..!

Ndërsa, sugjerimin e mikut tonë amerikan, DavidPhillips, për dëbimin e diplomatëve rus të cilët ende shërbejnë brenda UNMIK-ut në veri të Kosovës, mendoj se Qeveria e Kosovës duhet ta merr shumë seriozisht duke i dëbuar menjëherë diplomatët (agjentët) rus nga Kosova, pa marrë parasysh deklaratën dhe kundërshtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, AntonioGuterres, se Kosova nuk ka të drejtë t’i shpall “Non-grata” diplomatët e huaj pranë UNMIK-ut për shkak të statusit të tyre special diplomatik”, theksoi opinionisti.

Më tej ai potencoi se agjentët rusë në bazën ushtarake të Nishit, punojnë pa ndalur për realizimin e politikave hegjemoniste ruso-serbe në Ballkanin Perëndimorë.

Kësisoj, u shpreh se dëbimi i tyre do të ishte një masë ndëshkuese dhe parandaluese kundrejt planeve koloniale, përhapjes së luftës së re në Ballkan.

“Se, agjentët rus me selinë e tyre në të ashtuquajturën “Bazë humanitare”, alias ushtarake ruse afër Nishit, punojnë natë e ditë për realizimin e politikave hegjemoniste ruso-serbe në Ballkanin Perëndimorë, me qëllim për ta vendosur ndikimin rus në këtë pjesë të ndjeshme të Evropës, sidomos pas agresionit të saj në Ukrainë, kjo gjë ka qenë më se e qartë, sikur edhe tendencat për destabilizimin e Ballkanit Perëndimorë në vazhdimësi.

Prandaj, mendoj se dëbimi i “diplomatëve” rus , qoftë edhe një individ i vetëm, në këto çaste delikate nëpër të cilat po kalon Evropa, është imperativ politik dhe kombëtar që Qeveria e Kosovës t’i bashkohet menjëherë shumë vendeve të Evropës dhe SHBA-ve në kursin e dëbimit të diplomatëve rus, si masë ndëshkuese dhe parandaluese kundrejt planeve koloniale, përhapjes së luftës së re në Ballkan si dhe të zgjerimit ruso-sllavo-ortodoks në rajonin e Ballkanit, si dhe kundër ambicieve të Rusisë për dalje në ujërat e ngrohta të detit Adriatik, ëndërr kjo shumë e vjetër e carëve të Rusisë për realizimin e të cilës serbo-rusët nuk do heqin kurrë dorë..!?”, vlerësoi Elezaj.

Ndër të tjera, opinionisti u shpreh se dëbimi i spiunëve rusë do të kishte efekte shumë pozitiv për Kosovën dhe do të ishte një akt shumë i guximshëm.

“Unë jam i bindur, se dëbimi i diplomatëve rus nga Kosova do të kishte efekte mjaft pozitive në forcimin e pozicionit të Kosovës në rrugën e saj pro-BE-së, por edhe si një akt i guximshëm diplomatik me të cilin do të dëshmohej fuqishëm se Kosova është e vendosur që ta mbrojë me çdo çmim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të saj, pa marrë parasysh sesa janë të mëdha kërcënimet serbo-ruse të cilat vendit tonë po i rrinë mbi kokë si shpata e Demokleut qe disa vite..!”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Duhanaj: Përkundër faktit se UNMIK tashmë e ka pushuar shumicën e aktivitetit në Kosovë, me insistimin rus ka vazhduar të mbetet prezentë në Kosovë

Image
Leon Duhanaj 

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj konsideron se prezenca e UNMIK-ut ka qenë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve në Kosovë.

“Për mendimin tim, e gjithë ekzistenca e UNMIK-ut ka qenë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve në Kosovë. Shumë me mirë do të ishte Kosova sot, nëse në vend të misionit të UNMIK-ut do ta kishim patur një mision të përbërë nga shtetet e BE-së. Jam i bindur se sot Kosova do të ishte në të gjitha segmentet shumë më e avancuar dhe e përparuar. Megjithatë, duhet kuptuar se UNMIK-u ka operuar në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se ishte një formë kompromisi ndërkombëtar pas çlirimit të Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas analistit, në këtë organizatë ka pasur përfaqësues të huaj që ishin punëtor shërbimesh sekrete të shteteve respektive.

“Për fat të keq, popullata kosovare duke qenë e pa eksperiencë në fushat e politikave ndërkombëtare, e mori me besim të plotë përballjen me një administratë në masë të madhe jotransparente dhe jo me qëllime të sinqerta karshi Kosovës.

Për fat të keq, një masë kritike e përfaqësuesve të huaj në këtë organizatë ishin punëtor shërbimesh sekrete të shteteve respektive, të cilët parësore nuk e kishin zhvillimin dhe avancimin e Kosovës, sa interesat gjeopolitike e gjeostrategjike të shteteve të tyre”, shpjegoi Duhanaj.

Tutje, ai tha se UNMIK-u vazhdon të jetë prezent në Kosovë me insistimin rus dhe kjo gjë nuk i shërben interesit të Kosovës.

“Për fat të keq, shumë nga këta, kanë patur qëllime jo të mira për Kosovën dhe shqiptarët. Përmes tyre janë instaluar shumë dukuri të shëmtuara me të cilat edhe sot përballemi dhe të cilat po i shkaktojnë dëme të pariparueshme Kosovës.

Edhe përkundër faktit se UNMIK-u tashmë e ka pushuar shumicën e aktivitetit në Kosovë, me insistimin rus ka vazhduar të mbetet prezentë në Kosovë dhe si i tillë, nuk i shërben interesit të Kosovës, por atij rus.

Edhe në të kaluarën, edhe tani, jemi përballur me raste të infiltrimit të eksponentëve të shërbimit sekret rus në kuadër të UNMIK-ut, duke bërë aktivitete kundër interesave të Kosovës”, tha analisti.

Në fund, Duhanaj vlerësoi se gjëja më e mirë është dëbimi i UNMIK-ut nga Kosova, por meqë një gjë e tillë nuk është e mundur, organet e sigurisë duhet të hetojnë çdo lëvizje të eksponentëve të huaj.

“Në rastet kur institucionet e sigurisë së Kosovës e kanë faktuar sjelljen armiqësore ndaj shtetit të Kosovës, është arritur që eksponent të tillë të shpallen nongrata dhe të padëshirueshëm, me ç’rast edhe të dëbohen nga Kosova.

E mira e së mirës kishte me qenë që vetë organizata UNMIK-ut si e tillë të dëbohej nga Kosova, por meqë kjo nuk është në mundësinë tonë, atëherë duhet që përmes institucioneve të sigurisë, të tregojmë vigjilencë dhe të hetojmë çdo lëvizje të eksponentëve të huaj dhe t'i denoncojmë para institucioneve relevante ndërkombëtare, duke insistuar në dëbimin e tyre nga vendi”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat