Kosova e rrezikuar nga shërbimet sekrete serbo-ruse – vjen paralajmërimi për qeverinë Kurti

Politika

Kosova e rrezikuar nga shërbimet sekrete serbo-ruse – vjen paralajmërimi për qeverinë Kurti

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 prill 2022 Në ora: 22:08
Qeveria Kurti

Presidenti rus, Vladimir Putin duket se nuk po kënaqet vetëm me luftën në Ukrainë dhe pasojat e mëdha që po ia shkakton ukrainasve.

Që nga fillimi i luftës është përfolur për mundësinë e zgjerimit të luftës edhe në shtetet e tjera të Evropës, shtete që janë më pak të fuqishme ushtarakisht apo që ishin pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.

E kësisoj, shteti rus njihet për propagandime të larta dhe shërbimet e shumta sekrete, ku Putini i dërgon në disa shtete me qëllim të destabilizimit të situatave

Situatë e ngjashme po del të jetë edhe në Kosovë, ku kohëve të fundit janë raportuar aktivitete të shërbimeve armiqësore, përfshijë këtu Serbinë dhe Rusinë.

Sipas raportit të Freedom House, qeveritë e Kosovës kanë marrë vendime nën ndikimin e qeverive ruse, kineze dhe turke.

“Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit”, thuhet në raportin e Freedom House”, thuhet në raport.

Dy ditë më parë në raportimin e tij në Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit, Helidon Bendo, shefi i SHISH, konfirmoi se edhe në Shqipëri ka aktivitet të shërbimeve të inteligjencës nga vendet jomiqësore.

Duke u bazuar në këtë, nuk do shumë mend që të analizohet dhe raportohet edhe për veprimtaritë e spiunazhit edhe në Kosovës, ku përfshihen propaganda, dezinformim, sulmet kibernetike, grumbullimi i informacionit sensitiv etj.

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” folën analistët politik, Hidajet Ahmeti dhe Sulejman Mehazi.

Ahmeti: Institucionet përgjegjëse të Kosovës duhet të jenë syhapur përballë agjenturave të huaja

Image
Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti

Fillimisht, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” kërkoi nga institucionet e Kosovës të jenë në nivel të lartë përgjegjësie, pasi aktivitete të shërbimeve armiqësore sekrete mund të ketë edhe në vendin tonë.

“Kosova si shtet i brishtë duhet të bëj të pamundurën që të jetë në nivel të përgjegjësisë, pasi aktivitete të shërbimeve të huaja armiqësore mund të këtë edhe në Kosovë. Serbia do të bëjë përpjekje maksimale të përfitoj nga raste të tilla, pasi këto shërbime kanë objektiva të qarta për destabilitet përmes inskenimeve apo provokimit të situatës”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, analisti thotë se institucionet duhet të kenë kujdes, pasi Kosova është një shtet i brishtë dhe mund të dëmtohet shumë nga shërbimet sekrete.

“Prandaj, institucionet përgjegjëse të shtetit të Kosovës duhet të jenë syhapur përballë agjenturave të huaja, pasi Kosova si shtet i brishtë mund të dëmtohet shumë, nëse këto shërbime arrijnë ta kryejnë misionin e tyre”, përfundoi Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Mehazi: Derisa Shqipëria është e rrezikuar nga shërbimet informative të mëparshëm enveriste, në Kosovë ky rrjet informativ është ende më i rrezikshëm

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se shqiptarët qe një kohë të gjatë kanë informata se politika, institucionet e media të ndryshme punojnë nën direktiva të agjentëve të shteteve armiqësore.

“Është dashur të kalojnë tre dekada që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të zbulojë se politika, mediat edhe institucionet e shumta janë të infektuara nga agjendat antishqiptare të shërbimeve serbe e ruse, po që moti qytetarët shqiptarë i dinë këto shërbime antishqiptare të analistëve, televizioneve e portaleve antikombëtare e antishtetërore me emër e mbiemër, por fatkeqësisht, këta, analistë, media e televizione armiqësore kanë qenë e janë të mikluara financiarisht nga vetë qeveritë shqiptare, si në Shqipëri, Kosovë e RMV. Tani shërbimi informativ na tregon?, pikërisht, kur këta media armiqësore aq janë bërë të fuqishme sa që zor se dikush mund t'i luftojë, aq kanë zënë rrënjë të thella sa që nuk mund të eliminohen”, deklaroi ai.

Madje, profesori potencoi se është shumë vështirë që rrjetet informative armiqësor komuniste serbe-ruse të këputen.

“Themi kështu për shkak se këto shërbime armiqësore informative thellë janë të ngulitura që nga koha staniliste e Enver Hoxhës në Shqipëri dhe komuniste të Titos në Kosovë. Rrjetet informative armiqësor komuniste serbe-ruse aq janë të lidhura në mënyrë zinxhirore e organizative sa që është e rëndë për ta këputur e shkapërderdhur këtë rrjet të rrezikshëm mediatik”, nënvizoi Mehazi.

Në vazhdim, ai thotë se Kosova është shumë më e rrezikuar se Shqipëria nga shërbimet e shteteve armiqësore, ku rreziku është dyfish më i lartë.

“Derisa Shqipëria është e rrezikuar nga shërbimet informative të mëparshëm enveriste, në Kosovë ky rrjet informativ është ende më i rrezikshëm e i dyfishtë, Qeverisë së Kosovës i vijnë sulmet informative antishqiptare jo vetëm nga mediat enveriste të Shqipërisë, por i vijnë sulmet antishtetërore edhe nga mediat e UDB-ashëve mediatik serbo-ruse”, shpjegoi profesori.

Në fund, Mehazi thotë se e vetmja mënyrë që të shpëtojë Kosova nga kjo e keqe është që ta nxjerr ligjin për mbrojtjen e interesave shtetërore kundër mediave që propagandojnë.

“Shpëtimi i Kosovës nga kjo e keqe armiqësore mediatike do të ishte që parlamenti i Kosovës të nxjerr ligjin për mbrojtjen e interesave shtetërore kundër këtyre mynxyrave të mediave e televizioneve që propagandojnë ide kundër interesave të Republikës së Kosovës.

Kosovën janë duke e zvetënuar dhe dobësuar dy sindrome: korrupsioni dhe mediat antishtetërore e antikombëtare, sa është i rrezikshëm korrupsioni aq më e rrezikshme është propaganda mediatike antikosovare, këto sindrome të rrezikshme duhet eliminuar sa më shpejt për t'u rimëkëmbur Kosova”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat