23 vjet që kur NATO ndali gjenocidin serb mbi shqiptarët/ Mos-ndëshkimi i kriminelëve serbë, plagë e hapur e Kosovës

Politika

23 vjet që kur NATO ndali gjenocidin serb mbi shqiptarët/ Mos-ndëshkimi i kriminelëve serbë, plagë e hapur e Kosovës

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 25 mars 2022 Në ora: 13:02
Foto ilustrim

Të enjten (24 mars 2022) u shënua 23 vjetori i bombardimeve të NATO-së mbi caqet serbe.

Kjo ngjarje erdhi pas krimeve të tmerrshme që regjimi kriminal i Millosheviçit po ushtronte ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s me bombardime mbi caqet serbe “tërboi” edhe më tepër serbët kriminelë, të cilët ushtruan një gjenocid të llahtarshëm mbi popullatën civile.

Kriminelët po i hidhnin “shqelmat” e fundit, para se të iknin nga Kosova.

Pikërisht gjatë atyre ditëve u shënuan disa nga masakrat më të tmerrshme ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kurse, sipas të dhënave, në Kosovë regjimi kriminal serb ushtroi rreth 400 masakra apo vrasje në masë.

Masakrat më të tmerrshme ndodhën në, Qirez e Likoshan, Izbicë, Prekaz, Reçak, Rezalle, Obri, Lubeniq, Meje dhe Korrenice, Shalë, Mitrovicë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Studime, Beleg e Izniq, Qyshk, Qyqavice, Poklek i vjeter, Pastaselle, Zhabar e në shumë vende tjera të Kosovës.

Fondi për të Drejtën Humanitare jep përafërsisht të njëjtat të dhëna lidhur me vrasjet gjatë luftës në Kosovë.

Sipas këtij fondi, gjatë luftës së armatosur në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur gjithsejtë 13.535 njerëz.

Faktet e dëshmitë për masakrat serbe në Kosovë për fat të keq nuk u adresuan siç duhet. Për mbi 20 vjet me radhë ishte minimal numri i serbëve kriminelë të dënuar për krime lufte.

Madje, edhe ato dënime që u ekzekutuan, ishin me vite minimale burg për kriminelët apo edhe me dënime “banale” me kusht!

E përgjatë këtyre viteve nuk munguan as premtimet e shumta të politikanëve për padi ndaj Serbisë, për gjenocidin e ushtruar në Kosovë.

Më herët, ishte ish presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cili premtoi se ndërmerrej një hap i tillë, por asnjëherë nuk pati diçka konkrete në këtë drejtim.

Më 13 shkurt të vitit 2017 – Hashim Thaçi në cilësinë e presidentit do të mblidhte zyrtarët më të lartë shtetërorë, klerikët fetarë, korin diplomatik, bartësit e institucioneve të drejtësisë dhe shoqërinë civile në takimin konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, me pretendimin për të ndihmuar sjelljen e drejtësisë në vend.

“Kjo nuk do ta sakrifikojë drejtësinë, por do ta ndihmojë. Pranimi i së vërtetës është thelbësor, për drejtësinë. Kjo nuk nënkupton shlyerjen e krimit, pastrim nga e keqja, apo dikush të fshihet pas padijes, gënjeshtrës, heshtjes apo fshehjes së krimit. E vërteta duhet të dihet sado e hidhur apo e shëmtuar të jetë”, do të shprehej Thaçi për këtë komision.

Por, nga atëherë, ky komision jo që nuk i ndihmoi drejtësisë, por në njëfarë mënyre i dha “krah” Serbisë në luftën e saj diplomatike kundër shtetit të Kosovës.

Me pafytyrësi Serbia i mohon masakrat që ushtria e saj dhe krimineli Millosheviç i kanë ushtruar në Kosovë.

Fakti që Ministria e Drejtësisë gjatë këtij mandati ka vendosur si prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ballafaqimit me të kaluarën.

“Në vitin 2022 Ministria e Drejtësisë do të hartojë projektligjin për Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë me qëllim të mbledhjes së fakteve dhe dëshmive për këto krime”, thuhej në një përgjigje të kësaj ministrie për gazetën “Bota sot”.

Edhe kjo ministri kishte deklaruar se dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë është i vonuar, dhe se është momenti i fundit që diçka e tillë të realizohet.

“Ministria e Drejtësisë brenda mandatit dhe kompetencave të saj do të përkushtohet në krijimin e kushteve dhe hapjen e rrugës që sa më shumë raste të krimeve të kryera gjatë luftës të gjykohen, dhe kryerësit e krimit të dënohen.

Që nga marsi 2021 e deri më tani, Ministria e Drejtësisë ka bërë po ashtu ndryshimet e nevojshme në Kodin e Procedurës Penale në mënyrë që të mundësohet gjykimi në mungesë për krimet e luftës. Tutje, Ministria e Drejtësisë ka shtuar kapacitetet për Departamentin për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale me 4 prokurorë, 6 bashkëpunëtor profesional dhe dy përkthyes”, thuhej në përgjigjen e MD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat