“Lista e zezë e ShBA-së”/Eksperti i sigurisë paralajmëron tensionim të situatës në vitin 2022

Politika

“Lista e zezë e ShBA-së”/Eksperti i sigurisë paralajmëron tensionim të situatës në vitin 2022

Nga: A.M. Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 17:31
Foto ilustrim

Serbia synon satus special për monumentet e Kishës ortodokse, me tendencën që kisha në oborrin e kampusit Universitar të trajtohet sikur Manastiri i Deçanit

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dalë me një deklaratë pas vendimit të Departamentit të Thesarit të ShBA-së për të futur në listë sanksionesh rrjetet e korrupsionit në Evropë përfshirë edhe grupin e krimit të organizuar në veri të Kosovës që drejtohet nga Zvonko Veselinoviq.

Këtë vendim të Departamentit amerikan të Shtetit e ka komentuar eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Fillimisht, ai përmendi qëndrimet e akterëve politik krahas këtij raporti apo liste të zezë.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

“Zyra e kontrollit të pasurive të huaja që vepron në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, publikoi një listë të individëve dhe lidhjet e tyre me kompani të ndryshme, të cilat kanë përfituar 5.6 milionë euro brenda tri viteve (2018-2021).

Është interesant të analizohen veprimet e akterëve politikë të vendit, të cilët edhe një herë shpërfaqen që sistemi politik në vend ka vetëm regres politik duke tentuar që çdo raport ndërkombëtar/vendim apo listë të zezë të paraqitur në opinion publik të Republikës, të përfitojnë poena për interesa personale të atij grupacioni politik nga i cili përfaqësohet Republika”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Në vazhdim, Shala vlerësoi se krahas këtyre veprimeve të SHBA-së, mund të themi se ka një progres juridik në shtrirjen e autoritetit shtetëror të Kosovës.

“Pra, këto veprime tregojnë që nga regresi politik kishim krijuar një mini progres juridik në shtrirjen e autoritetit shtetëror të Republikës me datën 25/26 korrik 2012 si dhe e implementuar nga marrëveshja e parë në Bruksel të datës 19 prill 2013 deri në aventurizmin e fundit turistik të qeveris aktuale, e cila këtë mini progres juridik e shndërroi në një oazë të regresit politik të vendit dhe që po reflekton në cenim të sigurisë nacionale”, theksoi ai.

Më tej, eksperti i sigurisë paralajmëroi tensione të reja në mes Kosovës dhe Serbisë, pas zgjedhjeve që pritet të mbahen në shtetin serb.

Madje, ai tha se edhe mund të cenohet siguria.

“Sepse problemet e brendshme të Kosovës në raport me Serbinë, zgjedhjet atje të 2022, probabiliteti që të cenohet siguria dhe rendi, është në rritje nëse bazohemi në:

a. Bisedime për targat, ku pritet të ketë tendencë për status special për targa “KM”.

b. Ri-shtrirja e autoritetit shtetëror të vendit në tri komuna në veri (sepse është parë që nga operacioni “Targa” ka tendencë që të mos përfillet ky autoritet nga banorët lokal të komunitetit serb duke investuar shteti serb në ato komuna.

c. Status special për monumentet e Kishës ortodokse (këtu kemi gabuar në 2004) e cila do të jetë pika kryesore e bisedimeve për vitin 2022 duke dërguar tendencën që kisha në oborrin e kampusit Universitar të trajtohet sikur Manastiri i Deçanit, etj”, nënvizoi Shala.

Krejt në fund, ai kërkoi nga udhëheqësit e institucioneve të vendit që të kenë një unitet nacional për t’i përballuar trysnit e politikës serbe.

“Akterët relevant institucional duhet t’i bëjnë thirrje mendjes që të ketë një unifikim të spektrit politik duke rikthyer ekipin e unitetit nacional, duke përgatitur një përballje dhe trysni kundër politikës serbe në arenën ndërkombëtare”, përfundoi Drizan Shala, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat