Udhëheqësit shqiptarë për pak pushtet e shkelën çdo premtim

Politika

Udhëheqësit shqiptarë për pak pushtet e shkelën çdo premtim

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 11 nëntor 2021 Në ora: 19:22
Zoran Zaev

Në Maqedoni po cilësohet i habitshëm bashkëpunimi i shqiptarëve me partinë që kërkoi çnjohjen e Kosovës.

Rezultati i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ishte shkas që kryeministri i këtij shteti, Zoran Zaev, të dorëzojë detyrën e shefit të Qeverisë.

E ky veprim i Zaevit aktivizoi taborin opozitar atje. Subjektet e opozitës, maqedone e shqiptare, me disa deputetë edhe nga mazhoranca, u bënë bashkë, siç thuhet nga ta, për të gjetur rrugë që sjell stabilitet në shtet.

Fillimisht u raportua se janë siguruar numrat për shumicën e re parlamentare, e më pas u raportua për tërheqje të një deputeti. Lidhur me këtë ka folur Arben Taravari, sekretar gjeneral i Aleancës për Shqiptarët.

Tavari foli për mbështetjen e Levicës në rrëzimin e kësaj Qeverie, parti kjo e udhëhequr nga Dimitar Apasiev, me qëndrime të ashpra ndaj Kosovës, e cila kishte kërkuar edhe çnjohjen e saj.

Ai tregoi ndër të tjera nëse kjo parti mund të jetë pjesë e qeverisë së re. E që ka qenë e habitshme bashkimi i shqiptarëve me VMRO’në, e veçanërisht me partinë Levica, e thotë edhe gazetari dhe analisti, Arben Ratkoceri. Veç tjerash, Ratkoceri tha që për momentin është duke u zhvilluar luftë për numra, pasi që rezultatet janë 60 me 60 deri më tani.

A u shua urrejtja maqedono-shqiptare?

Lidhur me këtë, analisti politik Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se pas zgjedhjeve lokale situata në RMV ka marrë kahje interesante, e që sipas tij, ajo që i detyroi shqiptarët të mblidhen ishte dorëheqja e Zaevit.

Image
Sulejman Mehazi

Ai thotë se këso koalicione të çuditshme nuk janë bërë asnjëherë më parë.

“Situata politike në RMV pas zgjedhjeve lokale ka marrë kahje interesante, humbja e LSDM-së detyroi kryeministrin, Zoran Zaev, të japë dorëheqje, kjo frymëzoi partitë opozitare maqedone e shqiptare të mblidhen tok pa marrë parasysh ideologjitë politike. Me nënshkrimet e deputetëve iniciuan e detyruan kryeparlamentarin, Talat Xhaferin, të mbajë seancë për rrëzimin e qeverisë LSDM-BDI. Si asnjëherë më parë nuk janë bërë këso koalicionesh të çuditshme opozitare maqedone-shqiptare sikurse këtë herë, sa duken jashtësisht të palogjikshme, po aq mbrendësisht duken të logjikshme sa që partitë me frymë nacionaliste maqedone e shqiptare janë bërë bashkë për të mposhtur qeverisjen e Zaevit dhe Ahmetit”, tha ai.

Më tej theksoi se e mira e kësaj është se bashkimi i tyre ka shuar urrejtjen maqedone-shqiptare.

Sipas Mehazit, sikur malaziasit, boshnjakët që nuk mund të qeverisin pa serbët, ashtu edhe maqedonasit dhe shqiptarët nuk mund të qeverisin RMV-në pa njëri tjetrin.

“Një gjë është e mirë se ky bashkim i partive nacionaliste opozitare kanë shuar urrejtjet nacionale maqedone-shqiptare aq sa i janë afruar kushtetutës multinacionale të RMV-së. Nuk duhet të habitemi aspekt për ngjarjet politike në RMV, për shkak se këto procese në RMV janë vazhdimësi e proceseve të mëparshme në Mal të Zi, ku Dritan Abazeviqi pas 30 vjet qeverisje e rrëzoi Gjukanoviqin, po e njëjta situatë politike e përmbysjes së pushtetit njëzetvjeçar të PDK, LDK e AAK-së ndodhi edhe në Kosovë me Albin Kurtin. Sikurse malaziasit që nuk mund të formonin qeveri pa serbët, sikurse boshnjakët që nuk mund të qeverisin shtetin pa serbët e kroatët, sikurse kosovarët që nuk mund të qeverisin shtetin pa serbët e pakicat tjera, po ashtu as maqedonasit e as shqiptaret nuk mund të qeverisin RMV-në pa njëri-tjetrin”, ka përfunduar Sulejman Mehazi.

Si mund të jenë më të fuqishëm?

Analisti politik Islam Krasniqi, ka deklaruar se kjo është vazhdimësi e kombit tonë, ndërsa në Maqedoni kontributi iu shkoi kotë, sepse sipas Krasniqit, u pajtuan me mos zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Image
Islam Krasniqi

“Kjo është një vazhdimësi e Kombit tonë ku shpeshherë shitemi për asgjë, e që në republikën e Maqedonisë së Veriut ju ka shkuar kotë mundi dhe kontributi i tyre, pasi që udhëheqësit e tyre u mashtruan nga lakmia, duke e ndjekur interesin e tyre personale shkatërruan gjithçka që kishin ndërtuar me pushkë, e që harruan dhe u pajtuan me mos zbatimin e marrëveshjes së arritur”, ka potencuar Krasniqi.

Tutje ka theksuar se udhëheqësit shqiptarë për pushtet shkelën premtimet e tyre, andaj edhe populli i dëshpëruar votuan kryeministrin maqedonas.

Krasniqi shtoi se lëvizje të re politike mund të bëjnë vetëm si të bashkuar politikë, ndërsa në të kundërtën do të konsiderohen si pakicë.

“Udhëheqësit shqiptarë për pak pushtet e shkelën çdo premtim, e që edhe populli është i dëshpëruar me ta, e që me dëshirë votuan kryeministrin maqedon pasi që nuk patën zgjedhje tjetër. Ata mund të kenë potencial nëse bashkohen në një trup të vetëm që mund të kenë pushtet më shumë, por mund të jenë edhe shumë më të fuqishme, në të kundërt të gjithë do t'i marrin nëpërkëmb pa u vërejtur fare. Ata mund të bëjnë ndonjë lëvizje të re politike vetëm si të bashkuar politikë, në të kundërt do të konsiderohen si pakicë, asgjë më shumë”, shtoi ai.

“Shqiptarët t’i realizojnë kërkesat si komb”

Analisti Blerim Burjani, ka deklaruar se shqiptarët duhet të jenë të aftë dhe të ndikojnë vetë në zhvillimin e tyre.

Sipas Burjanit, avancimi në këtë status do t’i ndihmonte gjenerata e reja në Maqedoni.

Image
Blerim Burjani

“Shqiptarët duhet të ndjekin rrugën politike të avancimit të të drejtave të tyre, të mos kënaqen me pak pushtet, por të jenë të aftë që të ndikojnë vet në zhvillimin e tyre, jo vetëm të presin gjëra, por t’i realizojnë kërkesat e tyre, kërkesat e tyre si komb në Maqedoni. Avancimi në këtë status do të ndihmonte gjeneratat e reja atje, të kenë të drejta më të mëdha, të vendosin vet për jetën e tyre në Maqedoni”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat