Padrejtësia e BE-së ndaj Kosovës, arsyet pse disa shtete refuzojnë liberalizimin e vizave

Politika

Padrejtësia e BE-së ndaj Kosovës, arsyet pse disa shtete refuzojnë liberalizimin e vizave

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 1 korrik 2021 Në ora: 22:34
Foto ilustrim

Çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të jetë një nga temat më të rëndësishme dhe po ashtu aktuale.

Ditë më parë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

E pyetur për liberalizimin e vizave, Von-Cramon tha se Kosova ka plotësuar kushtet teknike dhe se është gabim mos mbështetja e disa vendeve për këtë proces.

Ajo tha se disa shtete janë skeptike për t’i dhënë Kosovë liberalizimin e vizave.

“Shpresoj që në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuar dhe mjedis politik më të përshtatshëm në Francë[...]Derisa të gjithë e dimë që Kosova i ka përmbushur kushtet teknike edhe komisioni dhe shtetet e tjera do të dëshironin që të marrin dritën e gjelbër për liberalizim të vizave. Në fund të fundit është çështje e Këshillit të Evropës dhe në këtë pikëpamje ka disa anëtar të këshillit që janë ende skeptikë dhe hezitojnë. Siç keni mundur ta shihni nga vizita e kryeministrit në Francë, nga qeveria franceze nuk morën premtime që kjo do të ndodhte,. Më vjen keq për këtë, dhe është për keqardhje dhe mendoj që është një gabim që po bëhet për regjionin dhe për Bashkimin Evropian”, tha ajo në konferencën për media.

Por, kur pritet të përfundojë kjo “dramë” për vizat për Kosovën? A i ka përmbushur Kosova me të vërtetë kushtet dhe si duhet bindur shtetet që janë kundër, që të votojnë pro liberalizimit?

E lidhur me këtë, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Kosova e varur nga shtetet e BE-së”

Image
Adem Bytyçi

Kështu, analisti politik Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se edhe nëse Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim, prapë është e varur nga e drejta e vetos të secilit shtet, madje sipas Bytyçit këtë e bën më të vështirë që 5 nga vendet e BE-së nuk e njohin Kosovën, gjë që ndikon edhe në proceset e integrimeve.

“Çështja e liberalizimin të vizave për qytetarët e Kosovës është edhe më e ndërlikuar se që mendojnë shumica e politologëve dhe shtet drejtuesit e Kosovës. Kosova edhe nëse themi se i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave të qytetarëve të saj, liberalizimi varet nga e drejta e vetos të secilit shtet veç e veç, anëtarë të BE-së. Çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës e bën edhe më të turbullt fakti se edhe 5 vende të BE-së, nuk e kanë pranuar shtetësinë e Kosovës dhe vazhdojnë të mbajnë qëndrim NEUTRAL ndaj statusit të Kosovës, një qëndrim ky shumë i dëmshëm jo vetëm sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen, por edhe vështirësive me të cilat Kosova ballafaqohet në proceset e integrimeve Euro-atlantike”, deklaroi ai.

Më tej, ai ka shtuar se ka qenë e ditur se takimi Kurti-Macron nuk do të japë asnjë rezultat, që sipas tij, kjo është për arsye se Franca ka qenë mike e shteti serb dhe arsyeja tjetër se Franca është përkrahëse e Rusisë.

“Shumë analist politikë të Kosovës dhe jashtë Kosovës e kanë ditur apriori se takimi Kurti Macron në Paris të Francës nuk do të jap asnjë rezultat konkret sa i përket ndihmës së Francës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, për dy arsye: 1. Franca tradicionalisht ka qenë mike e shtetit serb edhe atëherë kur Serbia padrejtësisht ka aneksuar toka të shqiptarëve dhe 2.Franca edhe pse mundohet ta mbajë të fshehur për hir se vetë është anëtare e BE-së dhe e NATO-s, e përkrah Rusinë. Tani, është e vështirë të pohohet me saktësi se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen, duke pasur në konsideratë ndarjen e shteteve anëtarë të BE-së, përkitazi me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Adem Bytyçi për gazetën ”Bota sot”.

“Liberalizimi i vizave, diskriminim për qytetarët e Kosovës”

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se liberalizimi i vizave është diskriminim dhe se Kosova i ka përmbushur kushtet, por është bërë çështje politike, sepse sipas tij, disa vende të BE po e shohin Kosovën vetëm për interesa të tyre.

“Liberalizimi i vizave është një pengesë e madhe për qytetarët e Kosovës dhe një diskriminim klasik. Kjo që po ju bëhet qytetarëve të Kosovës është një padrejtësi e madhe duke mohuar një të drejtë elementare. Mendoj se kushtet për liberalizim të vizave janë plotësuar, por kjo çështje është bërë politike. Disa shtete të BE-së po shikojnë Kosovën në kontekstin e interesave të tyre e jo në kuptimin përmbajtësor të kushteve që i kanë caktuar. Këto veprime të BE-së kanë zhgënjyer qytetarët Kosovës, pasi vet BE po përdor standarde të dyfishta në rastin e Kosovës”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat