Sipas ideologjisë marksiste revolucionet monopolizohen. Ato u përkasin vetëm komunistëve. Po kështu luftërat, kryengritjet dhe çdo formë tjetër e revoltës popullore. Komunistët shqiptarë e privatizuan Luftën Nacional-çlirimtare në vitin 1944. Ky lloj privatizimi ose monopolizimi ndodhi në disa etapa. Çdo konferencë e Partisë Komuniste, deri te Kongresi i Përmetit, kishte si objektiv pushtetin më shumë sesa çlirimin e vendit. Përveç komunistëve fanatikë, të gjithë të tjjerët u quajtën reaksionarë, përfshirë dhe komunistët luajalë që kishin luftuar kundër okupatorëve.
Nëse do të shkruhet një ditë ajo që ka ndodhur me luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë, do të gjejmë shumë pika të përbashkëta të tentativës së një grupi uzurpatorësh për ta privatizuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu si komunistët që sollën diktaturën dhe kultin e diktatorit, edhe disa drejtues kryesorë të UÇK-së po krijojnë këto kohë kultin e udhëheqësit. Ideja dhe akti I një sjellje të tillë po çon në privatizimin dhe monopolizimin e luftës për çlirim. Kjo kastë uzurpatore po shfrytëzon dënimin nga ana e Gjzkatës Speciale të Hagës, me qëllim që të ngrejë lart kultin e liderit të luftës, përkatësisht kultin e Hashim Thaçit.
Ashtu si komunistët e luftës partizane në Shqipëri, Kosovë, ish-Jugosllavi dhe gjithë lindjen europiane, liderët e dënuar në Hagë me Hashim Thaçin në krye, kanë mobilizuar njerëzit me qëllim që ta imponojnë monopolin e luftës me dhunë kundër institucioneve të vendit. Aktet e dhunshme, kërcënimi nga rruga për të imponuar votimin e një ligji shumë të disktueshëm, veprimet dhe deklaratat luftënxitëse, dëshmojnë se Hashim Thaçi është në krye të revoltave që zhvillohen në Prishtinë. Së paku ideja është e tij. Frymëzimi vjen nga ai. Motivimi gjithashtu është po ai! Këtë e dëshmojnë shumë fakte. Më i rëndësishmi lidhet me angazhimin e dhunshëm të pjestarëve të familjes së Hashimit. Nipi i tij, ose djali i Ganiut, është më i “revoltuari”! Po ashtu djali dhe të tjerë eksponentë.
Kjo do të thotë se dënimi i Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij nuk është në focus të protestave të dhunshme. Sepse ai dënim nuk kthehet mbrapsht as në Gjykatën e Apelit përmes protestave dhe dhunës në Kosovë. Dhuna e protesta vetëm se e përforcojnë bindjen e trupit gjykues për vendimin e drejtë që ata kanë marrë. Nëse vendimet e gjykatave do t’i ndryshonte dhuna e revolta qytetare, atëherë bota nuk do të kishte më institucione të gjyqësorit. Hashimi e di këtë. Por ai e di edhe se vendimi për dënimin e tij është i prerë, siç pritet kostumi te rrobaqepësi. Ndaj dhe nxit dhunën në Kosovë në funksion të krijimit të kultit të tij te shqiptarët.
Ndërkohë e vërteta e luftës është krejt ndryshe. Themeluesi dhe heroi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është Hashim Thaçi, i cili ka ndenjur larg vijës së frontit, siç edhe e ka pranuar vetë. Themeluesi dhe heroi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është Adem Jashari. Nëse do të duhej t’i jepej dikujt protagonizëm në luftën e Kosovës, më shumë se Hashimi këtë protagonizëm e meriton gjithashtu Adem Demaçi. Të dy Ademat i bëjnë hije Hashim Thaçit. Prandaj pagoi që dy autorë amerikanë të monografisë së tij ta qunin atë “George Uashingtoni” i Kosovës. I paplotësuar në jetën e vet, i pamerituar në sakrificat e tij dhe si përfitues pronash e pasurish në emër të luftës, Hashim Thaçit i nevojitet hymnizimi i luftës si vepër e tij. Kjo i duhet atij edhe për ta eklipsuar angazimin e tij për ndarjen e Kosovës. Këtë shans ia dha vendimi i Hagës për ta dënuar atë për krime lufte me 25 vite heqje lirie.
Por historia do ta vlerësojë edhe vendimin e dënimit ndaj Hashim Thaçit. Pse u dënua? Çfarë krimesh të luftës kishte bërë ai? Kush ishin dëshmitë dhe provat për këtë? Të gjitha historia do t’i vendosë në peshore dhe më në fund kulti nuk do të vlejë asnjë cent. Kulti është i përkohshëm, ndaj nuk e plotëson njeriun. Thjesht plotsojn egon e tij. Vetëm mjeranët besojnë se rriten duke rrënuar shtetin dhe vendin e tyre. Ndaj dhe atë që po ndodh në Kosovë mund ta konsiderojmë pasojë e konceptit “Flaka i daltë pas meje”! Se si pranon ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës të digjet Kosova për të kënaqur egon e vet, këtë nuk ka psikolog që mund ta shpjegojë. Ibrahim Rugova psh këtë nuk do ta pranonte në asnjë rrethanë. Edhe kur I bëhej atentat, ai u thoshte aktivitëve dhe mbështetësve të tij: “Ani, ani, nuk ka gjë! Mos reagoni se ata duan që ta çojnë Kosovën në luftë civile”! Nuk e çuan atëherë për shkak të urtësisë së Rugovës, po e çojnë tani për shkak të egos së Hashim Thaçit! Bravo! Më shumë se kaq nuk ka çfarë dëshiron Serbia!
Prandaj i duhet bërë thirrje zotit Hashim Thaçi ta ndalë dhunën, të mos e mbështesë atë, të revoltohet nga ajo që po ndodh në Kosovë. Nëse nuk e ndal dhunën, shoqëria e Kosovës duhet ta bëjë fajtor jo vetëm Bedri Hamzën dhe Ramush Haradinajn, por edhe vetë Hashim Thaçin e ndoshta edhe Kadri Veselin. Në mos sot, nesër kështu do vijë arsyeja logjike e gjithë asaj çfarë po ndodh në Kosovë.