Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se brenda më pak se dy muajsh është realizuar rregullimi dhe funksionalizimi i ndriçimit publik në dhjetëra rrugë, sheshe, parqe dhe hapësira institucionale në qytet dhe fshatrat përreth.
Përmes një postimi, Peci ka bërë të ditur se intervenimet kanë përfshirë zona të ndryshme të Mitrovicës, përfshirë rrugët kryesore, lagjet dhe fshatrat si Shipoli, Kçiqi i Madh, Zhabari, Gushavci, Suhodolli, Vinarci, Stantergu dhe Bare.
Ndriçimi publik është funksionalizuar edhe në Shëtitoren e Liqenit Akumulues, në Qendrën Zejtare, në hapësirat përreth Kishës Ortodokse, si dhe në disa zona të tjera me rëndësi për qytetarët.
Sipas Pecit, punimet në ndriçimin publik po vazhdojnë me dinamikë të shtuar, lagje pas lagjeje dhe fshat pas fshati, me synimin për të përmirësuar sigurinë dhe kushtet e jetesës për qytetarët.
“Më shumë ndriçim, më shumë siguri!”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës.