MPJ e Maqedonisë reagon pas kritikave të Komisionerit të OKB-së mbi migrantët

Maqedonia

MPJ e Maqedonisë reagon pas kritikave të Komisionerit të OKB-së mbi migrantët

Më: 24 shtator 2016 Në ora: 13:36
Ministria

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë (MPJ) përmes një njoftimi ka reaguar ndaj kritikave të djeshme të Komisionerit të OKB-së mbi migrantët, raporton Anadolu Agency (AA).

Në njoftim thuhet se MPJ vlerëson dhe respekton punën e Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara dhe e vlerëson si veçmas të rëndësishme në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në përmasa botërore.

Megjithatë, në kontekst të njoftimit të fundit deri te opinioni në drejtim të mosrespektimit të të drejtave të migrantëve/refugjatëve nga ana e Republikës së Maqedonisë, ky institucion thekson se Maqedonia me përkushtim punon në problematikën për përballje me krizën e migrantëve, duke siguruar trajtim human, në pajtim me ligjet nacionale dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtje të të drejtave të njeriut.

“Do t’i inkurajonim institucionet të cilat janë përgjegjëse të japin vlerësime për aspekte të kufizuara të krizës komplekse me të cilat përballet kontinenti, që të angazhohen në formulimin e zgjidhjeve gjithëpërfshirëse. Sigurisht, kjo është shumë më vështirë, por, në këtë mënyrë ndoshta do të evitoheshin kurthet që të vendoset vetëm një vend ose të trajtohet vetëm një aspekt i një fenomeni shumë kompleks. Nëpër territorin tonë kaluan mbi një milion migrantë, për transferimin e të cilëve u shfrytëzuan një pjesë e madhe e kapaciteteve personale për menaxhimin e procesit. I njëjti zbatohet dhe ende është duke u zbatuar me ndihmë të shteteve mike të Republikës së Maqedonisë, sektorit joqeveritar dhe organizatave ndërkombëtare. Sipas të dhënave deri në gusht të vitit 2016, më shumë se 580 patrulla kufitare e menaxhuan kufirin, me kontribut të forcave të sigurisë nga Austria, Kroacia, Serbia, Sllovenia, Sllovakia dhe Hungaria”, theksohet në njoftim.

Disa herë është potencuar se Maqedonia përballet me vështirësi në gjetjen e balancimit përkatës mes mbajtjes së rendit dhe sigurisë në shtet dhe sigurimit të të drejtave të njeriut të migrantëve të cilët janë në territorin e këtij vendi, por po ashtu gjatë kësaj krize, thuhet në njoftim, Maqedonia u dëshmua si partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm i Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare.

“Republika e Maqedonisë bën përpjekje maksimale në përballjen me këtë situatë komplekse, me këtë rast duke u përshtatur në nevojat e situatës në drejtim të ofrimit të trajtimit përkatës të migrantëve në territorin e saj. Edhe në të ardhmen do të vazhdojmë me përpjekjet maksimale që të zbatojmë respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, me theks të veçantë në sigurimin e minimum kushteve përkatëse të migrantëve të cilët gjenden në shtetin tonë apo që kalojnë nëpër Maqedoni”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein, kritikoi qasjen e Maqedonisë për emigrantët duke i bërë thirrje vendit ti japë fund “politikës sistematike të dëbimit dhe arrestimeve”. Të premten Hussein përcolli shqetësimin e veçantë të tij për 180 emigrantë të cilët që nga marsi i këtij viti kur është mbyllur “Rruga Ballkanike” qëndrojnë në qendrën transitore Tabanoc afër kufirit me Serbinë dhe në qendrën Vinojug afër kufirit me Greqinë. Hussein tha se nuk ka pasur nevojë për paraburgimin “de facto” të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat