Zannier inkurajon angazhimin e vazhdueshëm për reforma demokratike

Maqedonia

Zannier inkurajon angazhimin e vazhdueshëm për reforma demokratike

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 14:54

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier ka inkurajuar liderët politikë të vazhdojnë angazhimin ndaj procesit të vazhdueshëm politik dhe zbatimit në kohë të Marrëveshjes së Przhinos në besim dhe vullnet të plotë, pasi përfundoi takimet sot në Shkup.

Zannier pranoi përparimin e arritur të vendit drejt zgjidhjes së krizës politike, duke shtuar se përpjekjet janë para një momenti të rëndësishëm. “Duhet të ndërmerren hapa të mëtejmë të rëndësishëm në drejtim të përforcimit të proceseve demokratike dhe rivendosjes së mirëbesimit në institucionet e vendit.”

Ai theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në prill të vitit 2016. “Të gjitha palët duhet të ndërmarrin përpjekjet e nevojshme për të përmbushur afatet e vendosura për zgjedhjet e parakohshme parlamentare”. Zannier theksoi rëndësinë e shoqërisë civile në ndërtimin dhe përforcimin e demokracisë. “Shoqëria civile duhet të inkurajohet që të luaj rol në procesin e promovimit dhe rivendosjes së mirëbesimit të njerëzve, dhe në këtë mënyrë të përforcojë stabilitetin e cila është një parakusht për zhvillimin e vendit.”

Zannier theksoi gjithashtu se, përderisa shumë vëmendje përqendrohet në zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Przhinos, Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO) mbetet një tjetër faktor i rëndësishëm për stabilitetin në vend dhe në rajon.

Ai gjithashtu theksoi se OSBE, nëpërmjet pranisë së saj në vend, ofron ekspertizë dhe mbështetje të vazhdueshme për zbatimin e marrëveshjeve, si dhe për zgjedhjet dhe punën e Prokurores Speciale.

Shefja e Misionit të OSBE në Shkup Nina Suomalainen deklaroi: “Misioni ynë është këtu për të ofruar inkurajim dhe mbështetje për qeverinë dhe autoritetet në ruajtjen e impulsit lidhur me zbatimin e reformave, si dhe të vazhdojë dialogun me të gjitha subjektet kryesore.”

Gjatë vizitës Zannier u takua me presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski, si dhe liderët e partive politike, përkatësisht kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev dhe kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi, si dhe ndërmjetësin e BE-së Peter Vanhoutte dhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat