USHT e shënoi 103 vjetorin e Ditës së Flamurit Kombëtar

Maqedonia

USHT e shënoi 103 vjetorin e Ditës së Flamurit Kombëtar

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 10:18

Me një akademi solemne, dje në Universitetin Shtetëror të Tetovës u shënua 103 vjetori i Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, e njohur ndër shqiptarët anekënd botës si Dita e Flamurit. Në këtë akademi morën pjesë Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, prorektorë, sekretari i përgjithshëm, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë.

Akademinë e shpalli të hapur prorektori për Arsim i USHT-së, Reshat Qahili, i cili në fjalën e tij theksoi se Dita e Flamurit është festa më e madhe dhe më e rëndësishme për shqiptarët e të gjitha trojeve.

Referatin tematik për nder të kësaj date të rëndësishme për kombin tonë, para të pranishmëve e paraqiti Zeqirja Rexhepi, i cili theksoi se në kronikat dhe librat tanë, në të gjitha shënimet kalendarike nënvizohen Nëntorët e përgjakur, si dëshmi për fashitjet tona shekullore.

Po ashtu, kjo akademi u begatua me një program të pasur artistik të përgatitur nga studentët e Fakultetit të Arteve të universitetit tonë.

USHT të gjithë shqiptarëve ua uron festën e 28 Nëntorit.

“Në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, të gjithë shqiptarëve ua përcjell urimet e mia më të sinqerta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë! Shpallja e Pavarësisë është ngjarja më e rëndësishme e historisë sonë kombëtare. Ajo ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Nën Flamurin kuq e zi, të parët tanë me sakrifica të mëdha ia dolën ta trasojnë të ardhmen e kombit shqiptar. 28 Nëntori i vitit 1912 hapi një etapë të re në historinë e popullit shqiptar, duke e shndërruar kombin tonë në faktor të rëndësishëm stabiliteti, më orientim properëndimor dhe të denjë për të aspiruar në integrimet euroatlantike. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit! Gëzuar 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë! Zoti i bekoftë shqiptarët!”, shkruhet në urimin e USHT-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat