MASH konfirmon, USHT në fund të listës

Maqedonia

MASH konfirmon, USHT në fund të listës

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 20:39

Ministria e Arsimit iu përgjigj kërkesës së Alsat për raportin e vlerësimit që ka bërë për universitetet në vend. Nga ky dikaster konfirmuan se USHT-ja në vitin 2011 është pozicionuar në vendin e 13 kurse në vitin 2013 në vendin e 9-të.

“Në vlerësimin e vitit 2011, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë gjendet i pozicionuar në vendin e dytë, kurse Universiteti Shtetëror i Tetovës në vendin e 13; kurse në vlerësimin e vitit 2013, UEJL-ja në Tetovë zë vendin e tretë, kurse USHT-ja pozicionohet 4 vende më lartë (në vendin e 9-të) për dallim nga vlerësimi paraprak”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Ministria e Arsimit më tej në kumtesën e saj thekson se është gjithmonë në kërkim të formave të reja për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, ndonëse nuk precizon nëse këtë dëshiron ta bëjë përmes iniciativës për themelimin e një universiteti të ri në Shkup.

“MASH, edhe me këtë rast thekson se gjithnjë është në kërkim të formave dhe rrugëve të reja për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, gjithnjë duke u drejtuar nga përcaktimi i shenjtë dhe përcaktues për ardhmërinë e një shoqërie dhe populli: arsimi cilësor – për gjenerata të reja të shëndosha”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ministria e Arsimit nuk e pranoi asnjëherë hapur se ka një ide për universitet të ri shqiptar në Shkup, por thjesht se në rast se do të mbërrite ndonjë ide e tillë, ajo do të shqyrtohej me seriozitet. Një ditë më parë, edhe zv/ministri i arsimit Spiro Ristovskin tha se nuk kishte dëgjuar për një projekt të tillë, duke e shmangur sot pyetjen e ALSAT për këtë çështje, parë nga pikëpamja e VMRO-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat