BDI po distancohet nga njerëzit e saj

Maqedonia

BDI po distancohet nga njerëzit e saj

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 08:32

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) po vazhdon distancimin e çuditshëm nga kontribuesit dhe njerëzit e saj.

Të shtunën një gjë e tillë ndodhi me Argëtim Asanin, zëvendësdrejtorin e ndjerë të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), i cili ishte shpesh në shoqëri të zëvendëskryeministrit Musa Xhaferri dhe ishte pjesë e aktiviteteve të kësaj partie. Asani kohëve të fundit edhe përmes një deklarate kishte polemizuar me zyrtarë të BDI-së, duke mbrojtur politikat e kësaj partie. Ai të njejtën gjë e kishte deklaruar edhe në betejën politike me krahun politik të Arben Labënishtin.

Por, pas Asanit, BDI dje u distancua nga Ibrahim Kelmendi, një figurë LPK-iste dhe një nga mentorët e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, që vite me radhë shoqëronte ate në selinë partiake në Reçicë të Vogël, por edhe në aktivitete të tjera partiake dhe politike.

Distancimi me Asanin ndodhi pasi që disa media nxorrën disa të dhëna lidhur me të kaluarën e tij, ndërsa provokimi me Kelmendin ndodhi kur ky i fundit përmes rrjeteve sociale drejtoi akuza në drejtim të zëvendëskryeministrit Musa Xhaferri dhe polemizoi edhe lidhur me një temë fetare, për figurën e pejgamberit Muhamedit.

Pas vrasjes së Argëtim Asanit, Ibrahim Kelmendi përmes facebook ka shkruar se Ali Ahmeti duhet ta përzë Musa Xhaferin nga partia në mënyrë që ta shpetojë atë.

Por, vetëm pak orë më pas BDI reagoi përmes një komunikate duke sqaruar se Kelmendi nuk është dhe nuk ka qenë këshilltar i Ali Ahmetit.

“Z. Ibrahim Kelmendi nuk është dhe nuk ka qenë këshilltar i Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti si dhe nuk është dhe nuk ka qenë anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Qëndrimet publike të z. Kelmendi nuk përfaqësojnë qëndrime të BDI-së dhe në asnjë prononcim ose veprim të tij, z. Kelmendi nuk përfaqëson as Bashkimin Demokratik për Integrim e as z. Ali Ahmeti”, theksohet në reagimin e BDI./INA/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat