Dy vjet nga vdekja e Mlladenovit, vazhdojnë misteret

Maqedonia

Dy vjet nga vdekja e Mlladenovit, vazhdojnë misteret

Më: 27 mars 2015 Në ora: 17:19

Dy vjet. Prej kaq kohësh, familja Mlladenovi jeton pa burrin dhe babin e tyre. Po aq kohë, gazetaria maqedonase dhe publiku janë pa penën e parë. Edhe pse është gjithnjë e më larg 27 marsi i 2013-tës, kur mësuam se Nikolla vdiq në një aksident me makinën e tij, nuk jemi më afër të së vërtetës së tërë - pse dhe si "Mercedesi" i tij përfundoi në hendek në hyrje të Shkupit.

Hetimi zyrtar përfundoi se shkaku i aksidentit ishte shpejtësia e papërshtatshme dhe rruga jo e mirë për udhëtim. Edhe pse nuk është përcaktuar saktësisht, konkluzioni ishte se Mlladenovi kishte vdekur një natë më parë, duke u kthyer në Shkup nga drejtimi i Petrovecit. Nuk u gjet bazë për ndonjë vepër penale. Por gazetarët e Fokus-it dhe të "Nova Makedonija-s", disa ditë pas inspektimit në vendngjarje gjetën pjesë të makinës dhe sende të tjera. Tomisllav Kezharovski për shembull gjeti llogaritë fiskale që tregonin se natën e vdekjes, Mlladenov ka shkuar dhe është kthyer dy herë në Veles. Kjo, tek gazetari dhe publiku, krijuan dyshime për lëshime edhe gjatë hetimit.
"Sipas meje, atje kishte vetëm një hetim të thjeshtë. Jo aq rrënjësor! Gjetja e llogarive nga taksat rrugore, dëshmonte se Nikolla Mlladenov ka bërë dy vajtje-ardhje në relacionin Shkup-Veles dhe anasjelltas. Është vetëm një tregues se puna nuk ka përfunduar deri në fund. Pse dhe si, këtë me të vërtetë nuk e kam të qartë", u shpreh Tomisllav Kezharovski, gazetar.

Rastësisht ose jo, vetëm një muaj më vonë Kezharovski u arrestua, i dyshuar dhe më vonë i dënuar, për tekstin e shkruar 5 vjet më parë. Ai nuk dëshiron të pohojë nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, por as ta përjashtojë një gjë të tillë. Për lëshimet në hetim, rregullisht shkruante edhe javorja "Fokus", pronar i së cilës ishte Mlladenovi. Përveç sendeve që u gjetën në vendngjarje, dyshime hapi edhe telefoni celular i Nikollës. Fillimisht ishte njoftuar se trupi i Mlladenovit u gjet nëpërmjet telefonit celular, por policia zyrtarisht kurrë nuk e gjeti telefonin. Sot në faqen e parë, javorja rikujtonte të gjitha lëshimet dhe bëri thirrje publikisht për një hetim të ri.

"Asgjë nuk duhet të pohohet me siguri. Ndoshta ishte vërtet një aksident. Hetimi gjithsesi, duhej të vërtetonte besueshmëri dhe të ofronte përgjigje të shëndosha mbi pyetjet kyçe. Në çdo rast, mbetet përshtypja se hetimi është bërë sa për sy e faqe, jo profesionalisht, dhe në mënyrë diletante e rrethana të pasqaruara. Nuk duhet të nënvlerësohet inteligjenca e publikut vendas dhe ndërkombëtar. Pavarësisht se është "ad akta", përhapen dhe shtohen mistere, spekulime dhe dyshime të ndryshme. Pëshpëritjet nuk ndalen. Bëhen gjithnjë e më të zëshme dhe më të tmerrshme."

Dy vjet më vonë, për vdekjen e Mlladenovit ende vërtiten shumë teori. Sot ndoshta, akoma më aktuale për shkak të krizës politike. Opozita zyrtarisht dhe jo zyrtarisht disa herë tha se do të zbulojë detaje për rastin, në kuadër të "bombave" që po publikon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat