Trajanov: Në gjyqet ku MPB nuk ka prova, nxirren dëshmitarë të mbrojtur

Maqedonia

Trajanov: Në gjyqet ku MPB nuk ka prova, nxirren dëshmitarë të mbrojtur

Më: 26 janar 2015 Në ora: 12:28

Deputeti i shumicës parlamentare Pavle Trajanov thotë se në gjyqet ku dëshmojnë dëshmitarë të mbrojtur, ka shumë mundësi që dënimet të mos bazohen në fakte dhe prova.

Ai ka denoncuar për gazetën “Vest” shifrat e të dënuarve bazuar vetëm të deklaratat e dëshmitarëve të mbrojtur, në 10 vitet e fundit.

Sipas të dhënave që ka ai, janë rreth 110 persona të dënuar vetëm në bazë të deklaratave të dëshmitarëve të mbrojtur, transmeton “Zhurnal”.

“Po bëhet realitet përdorimi i shpeshtë i dëshmitarëve të mbrojtur në proceset gjyqësore. Kjo krijon hapësirë për të dyshuar se shërbimet e MPB-së nuk kanë prova të mjaftueshme për zbulimin e një vepre penale dhe të kryerësve të saj, ndaj dhe u referohen dëshmitarëve të mbrojtur, ose zbatojnë masat e përgjimit, në mungesë të provave reale dhe materiale”, tha Trajanov.

Ai vlerëson se përdorimi i shpeshtë i dëshmitarit të mbrojtur mund të përbëjë rrezik për të drejtat dhe liritë e qytetarëve, prandaj ideja e tij është që ky institut të reformohet.

Deklarata e tillë e deputetit maqedonas dhe kryetar i Lidhjes Demokratike vjen pas dënimit me burg të gazetarit Tomislav Kezharovski, i cili u shpall fajtor për publikimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur.

Fenomeni i dëshmitarit të mbrojtur ka ndodhur edhe në procesin gjyqësor “Monstra”, ku në mungesë të provave, si kyçe dhe vendimtare për dënimin me burg të përjetë të të akuzuarve, u morën deklaratat e dy dëshmitarëve të mbrojtur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat