Sot Samiti i BE-së, Maqedonia jashtë agjendës

Maqedonia

Sot Samiti i BE-së, Maqedonia jashtë agjendës

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 12:02

Shefat e qeverive të BE-së do të mblidhen sot në Bruksel në samitin e përvitshëm të dhjetorit.

Ndryshe nga çfarë shpresohej, Maqedonia dhe integrimi i saj nuk do të jenë në agjendën që do të diskutohet në këtë takim.

Ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve-anëtare, disa ditë më parë, miratuan disa konkluzione, që përmbajnë kritika për vendin tonë, por jo edhe rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim.

DW mëson nga burime pranë Komisionit Evropian në Berlin se Këshilli i BE-së do të pranojë konkluzionet e miratuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, por pa vendimin për fillimin e negociatave.

Mësohet se, në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme ku bëjnë pjesë ministrat e Jashtëm, të gjitha shtetet përveç Greqisë dhe Qipros kanë insistuar të caktohet data e negociatave me Maqedoninë.

Për shkak të vetos së këtyre dy shteteve, fillimi i negociatave ka mbetur jashtë konkluzioneve, por në to të paktën është përfshirë formulimi për të cilin kanë insistuar Britania, Sllovenia dhe Polonia, dhe që thotë se “Këshilli i BE-së mund t’i rikthehet rekomandimit për negociata gjatë vitit të ardhshëm”.

Greqia dhe Qiproja nga ana tjetër kanë kërkuar që në konkluzione të nënvizohet se “Këshilli i BE-së mund t’i rikthehet rekomandimit për negociata pas raportit të progresit për vitin 2015”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat