Sekretariati per Ceshtje Evropiane - Kumtese, takim i Besimit me ambasadoret e vende anetare te BE-se

Maqedonia

Sekretariati per Ceshtje Evropiane - Kumtese, takim i Besimit me ambasadoret e vende anetare te BE-se

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 15:16

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës se Maqedonisë për çështje evropiane Dr. Fatmir Besimi sot realizoi takim me ambasadorët e vendeve anëtare te Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë.

Në fillim të takimit Zëvendëskryeministri u falënderua për përkrahjen rreth procesit eurointegrues rajonal, që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Republika e Maqedonisë e morën nga Konferenca e Berlinit, dhe njëherësh theksoi bindjen e tij se përbërja e re e Komisionit Evropian do të jetë mbështetës aktiv i zgjerimit të Bashkimit Evropian kah vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëskryeministri Besimi në takim me ambasadorët vuri në dukje se prioritet kyç i Maqedonisë janë integrimet euro-atlantike, dhe se Qeveria dhe institucionet kompetente janë të përkushtuar maksimalisht në zbatimin e reformave që kanë për qëllim sjelljen e vendit më pranë Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në këtë drejtim u potencuan reformat që janë zbatuar dhe do të vazhdojnë të zbatohen edhe në periudhën në vazhdim, si dhe arritjet e fundit në fushën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirinë e të shprehurit, reformat zgjedhore, dialogun politik, reformat në administratën publike, marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal.

Besimi theksoi se pret që Raporti i radhës për progresin e vendit nga Komisioni Evropian, të jetë objektiv dhe të jenë të shënuara në mënyrë përkatëse të gjitha reformat e zbatuara, por edhe të përmbajë rekomandim për fushat në të cilat duhet të zbatohen reforma plotësuese, të cilat do të jenë bazë për përcaktimin e prioriteteve afatshkurtra të radhës në implementimin e reformave.

Para ambasadorëve Besimi theksoi se progresi i Maqedonisë në procesin e eurointegrimeve, është me domethënie kyçe për ardhmërinë e vendit, si dhe se vendi është i gatshëm të kalojë në fazën e radhës, duke potencuar këtu gatishmërinë për fillimin e negociatave për aderim.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Besimi informoi për përpjekjet kyçe rreth reformave lidhur me Programin Nacional për miratimin e te drejtës së BE-së – NPAA, për përmbushjen e reformave prioritare te parapara me DANL (HLAD) dhe realizimin e mëtejshëm të marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim. Në këtë kuptim Besimi theksoi se reformat në Republikën e Maqedonisë nuk zbatohen vetëm për fillimin e negociatave por gjithashtu edhe për përmirësimin e cilësisë se jetesës të qytetarëve dhe se reformat do të merrnin intensitet më të madh nëse Këshilli i BE-së më në fund sjell vendim për fillimin e negociatave aderuese me Republikën e Maqedonisë.

Zëvendëskryeministri Besimi shtoi se është e një rëndësie të veçantë mbështetja e shteteve anëtare të BE-së për tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohet Republika e Maqedonisë në procesin e aderimit të vendit në BE.

Në fund të prezantimit të tij Besimi theksoi thënien e njohur se, “Evropa nuk mund të jetë e lumtur pa Ballkan të lumtur”, me çka potencoi rëndësinë e procesit të zgjerimit si për vendet e rajonit, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat