Nimic, asnjë propozim të ri për emrin

Maqedonia

Nimic, asnjë propozim të ri për emrin

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 00:45

Asnjë lëvizje përpara nga status quo-ja në procesin e emrit. Ndërmjetësi i OKB-së Methju Nimic pas takimeve maratonë me krerët shtetërorë theksoi se nuk ka ndryshim në pozicionet e Shkupit Zyrtar. Nimic përsëriti sot se propozim të ri nuk ka, ndërkohë që refuzoi të zbardhte çfarëdo detaji nga idetë që kishte në kokë, siç u shpreh një ditë më parë. Megjithatë Nimic theksoi se pas zgjedhjeve në të dyjave vendet, tani është koha për rigjallërimin e procesit dhe rikthimin të palëve në bisedime serioze.

““Status quo-ja” është “status quo” për sa kohë që nuk ndodh ndonjë ndryshim. Unë nuk bëra propozime të reja, as qeveria nuk kishte qëndrime të reja rreth përmbajtjes. Por ne patëm bisedime të mira rreth përmbajtjes dhe procesit, pra kishim bisedime konstruktive. Nuk do të them asgjë rreth përmbajtjes konkrete të gjërave që fola. Ne kemi shkëmbyer ide për çështjen e emrit prej vitesh tashmë. Ka shumë ide në tryezë, edhe ide të vjetra, njerëzit vazhdojnë t’i ri-mendojnë se cila mund të jetë zgjidhja e mirë që do të kënaqte nevojat e dy shteteve”, deklaroi Methju Nimic, ndërmjetës i OKB-së në çështjen e emrit.

Nga ana tjetër Nimic theksoi se mirëpret interesin e Kancelares Merkel në çështjen e emrit. Ai tha se sikurse Gjermania edhe vende të tjera shqetësohen nga kërcënimi i sigurisë së rajonit.

“Kjo është një çështje shqetësuese për shumë shtete, në Evropë dhe më gjerë, SHBA gjithashtu! Është një çështje të cilën njerëzit në botë duan të shohin të zgjidhur në interes të sigurisë të këtij rajoni. Interesi i Merkelit dhe Gjermanisë por edhe shteteve të tjera është faktor pozitiv në kuptimin se tregon shqetësim, interes. Unë e mirëpres këtë interes dhe shqetësim”, tha Methju Nimic, ndërmjetës i OKB-së në çështjen e emrit.

Nimic refuzoi të komentonte deklaratën e pak kohë e më parë të kryeministrit Samaras se gjuha maqedonase nuk ekziston, madje tha se deklarata të tilla që zhvendosin vëmendjen nga problemi real vijnë shpesh nga të dyja vendet. Nimic edhe një herë qartësoi se angazhimi i OKB-së është zgjidhja e emrit, dhe se temë e diskutimeve me Greqinë nuk është identiteti.

“Kur takohemi me grekët dhe kur realizoj takime këtu, ne flasim për emrin e shtetit pra ne e dimë se për çfarë flasim. Duket se ka çështje të tjera në mendjen e njerëzve prej vitesh tashmë, por përmbajtja e negociatave është rreth emrit të shtetit”, u shpreh Methju Nimic, ndërmjetës i OKB-së në çështjen e emrit.

Pas Shkupit, në dy ditët në vijim Nimic do të zhvillojë takime me krerët shtetërorë të Greqisë, për të përcjellë qëndrimet e autoriteteve të Shkupit por edhe për të mësuar nëse ka zhvendosje të pozicioneve greke mbi këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat