Deputetët shqiptarë nuk i dalin para Gruevskit

Maqedonia

Deputetët shqiptarë nuk i dalin para Gruevskit

Më: 12 dhjetor 2013 Në ora: 22:16

Politika shqiptare dështoi t’i kërkonte llogari shefit të ekzekutivit Nikolla Gruevskit dhe ministrave të tij rreth problemeve më të ndjeshme të shqiptarëve por edhe shoqërisë në përgjithësi. Edhe pse sot Gruevski u paraqit para deputetëve për të dhënë llogari lidhur me respektimin e të drejtës së prezumimit të pafajësisë, konstatimeve për keqpërdorimin e paraburgimit si dhe rrezikimin e lirisë së të shprehurit dhe liritë e mediave, asnjë nga deputetët qoftë të partisë në pushtet BDI-së apo PDSH-së nuk e panë të udhës të kërkonin llogari lidhur me shkeljen pikërisht të këtyre parimeve gjatë procesit të Sopotit dhe ‘Monstra’. Në mungesë të së drejtës për të parashtruar pyetje gjatë debatit të sotëm, deputeti i RDK-së Naxhi Xhelili, shfrytëzoi mediat për t’ia parashtruar pyetjen Ministres së Brendshme Gordana Jankullovska.

“Pyetjen e parë që do të parashtroja në këtë debat, do t’i drejtohej ministres së Punëve të Brendshme pikërisht për prezumimin e pafajësisë duke pasur parasysh se zonja Jankullovska, me deklaratën e saj posaçërisht në procesin ‘Mostra’ i akuzoi të gjithë shqiptarët si radikalë islamik, ndërsa pikërisht procedurat gjyqësore dëshmuan se nuk bisedohej për asnjë radikalizëm islamik, por thjesht bisedohej për një proces të montuar politik”, tha Naxhi Xhelili, RDK .

Nga ana tjetër pyetja e vetme që u parashtrua nga deputetja e BDI-së Suzana Saliu, e cila i ngjante më shumë një pyetjeje të porositur, ishte lidhur me gjendjen e burgjeve, drejtuar Avokatit të popullit Ixhet Memeti, i cili këtë mundësi e shfrytëzoi për të promovuar meritat e veta personale në ushtrimin e detyrës së tij. Edhe Avokati i Popullit nuk përmendi rastet që për shqiptarët kanë përbërë kthesa të tensionuara në marrëdhëniet ndëretnike, duke trumbetuar vetëm gjendjen në burgje, sikur ajo të ishte më shqetësuesja.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase u tregua e zëshme për rastet mbi gazetarin kezharovski, apo atë të Shqipoviqit, si shkelje të institucionit të paraburgimit apo edhe presionin e madh ndaj gjykatave në përgjithësi.

“I shikoni këto fytyra..njëri Kezharovski ka bërë mëkat për shkak se ka shkruar kundër pushtetit dhe mbase ka pasur informata për vdekjen e Mlladenovskit. I dyti Miro Shipoviq, ka bërë mëkat akoma më të madh, pasi ju fitoi në zgjedhje në komunën Qendër dhe së bashku me të tjerët në Komunë filluan të zbardhin krimin në projektin Shkupi 2014, ndërkaq me burgosjen e tij tentoni të bllokoni komunën dhe kryetarin e komunës..”, u shpreh Igor Ivanovski, LSDM.Sinkron

“Unë nuk jam ai që duhet të bëjë një vlerësim nëse ka pasur apo jo keqpërdorim të masës së paraburgimit, unë jam pjesë e pushtetit ekzekutiv, dhe nga ky këndvështrim unë mund t’i shikojë vetëm analizat, sa njerëz kanë qenë të paraburgim këtë vit, dhe në bazë të të gjitha statistikave të gjykatave, më pak se 1% nga njerëzit që janë përfshirë në procedurë gjyqësore kanë marr masën e paraburgimit”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministri.

Gruevski theksoi se koha e presioneve, dhe telefonatave nga krye-pushtetarët ka mbaruar. Nga ana tjetër, Jankullovska aludoi se institucioni i protestës është devijuar, madje edhe nga vetë gazetarët, të cilët sipas saj, kanë qenë me prapavijë nxitëse.

“Nuk do të përfundoj jo me fjalët e Ministrisë të brendshme por me fjalët e një nga gazetarët më eminent, redaktor në media kombëtare i cili pyet publikisht se ku është dallimi nëse protesta do të mbahet 50, 20 apo 10 metra apo 100 metra nga lokacioni që e keni caktuar nëse nuk e keni ndërmend të prishin rendin. Kjo u shpreh nga fusha e gazetarëve, njerëzit që ishin të tmerruar nga përpjekjet e një pjese të kolegëve të tyre të cilët me çdo çmim të dërgojnë një imazh negativ për Maqedoninë”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e brendshme.

Ndërkaq, edhe prokurori publik Marko Zvërlevski tha se nuk ka njohuri për raste të shkeljes së prezumimit të pafajësisë por shtoi se do t’u përgjigjet iniciativave të ngritura pranë institucionit që ai drejton, përfshi edhe kërkesës për procedurë lidhur me revizionin e Komunës Qendër, për shpërdorime të mundshme në projektin Shkupi 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat