Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka përkujtuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke e cilësuar këtë datë si simbol të identitetit, unitetit dhe përpjekjeve ndër breza për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Sali ka bërë të ditur se nën organizimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është mbajtur Akademia Solemne kushtuar kësaj dite, në të cilën ka marrë pjesë edhe në cilësinë e Zëvendëskryeministrit të Parë.
Ai ka theksuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku intelektualët shqiptarë u bashkuan për t’i dhënë gjuhës shqipe një alfabet të përbashkët.
“Në fjalën time theksova se 22 Nëntori nuk është vetëm një datë historike, por simbol i identitetit, unitetit dhe përpjekjes sonë ndër breza për ta ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare”, ka shkruar Sali në Facebook.
Ai ka nënvizuar se përgjegjësia e brezave të sotëm është ruajtja dhe përcjellja e kësaj trashëgimie te të rinjtë.
“Detyrimi ynë është që këtë trashëgimi ta kultivojmë, ta avancojmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj, sepse gjuha shqipe është pjesë e pandashme e identitetit dhe e së ardhmes sonë”, ka theksuar ai.