BDI: Opozita me skenar rus për trazira politike pas 8 majit

Maqedonia

BDI: Opozita me skenar rus për trazira politike pas 8 majit

Më: 18 mars 2024 Në ora: 12:27
Foto ilustrim

Bashkimi Demokratik për Integrim, thotë se me shqetësim po përcjell ‘akuzat, shpifjet dhe fyerjet’ që opozita po i bën kandidatit për president, të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si dhe ndaj kryeministrit Talat Xhaferit, ndërsa alarmon, si thuhet në reagim, ‘për skenar rus që synon trazira politike pas 8 majit’.

“Të koordinuar bashkë me VMRO-DPMNE-në e Mickoskit dhe LEVICËN e Apasievit, si dhe në mungesë të Programit zgjedhor, koalicioni VLEN ka përforcuar shpifjet ndaj Bujar Osmanit dhe Talat Xhaferit, ndërsa nuk po i kursejnë edhe familjarët e zyrtarëve, gjë që po shqetëson edhe qytetarët, por është njoftuar edhe faktori ndërkombëtar në vend”, thuhet në reagimin e zyrës për informim të kësaj partie.

BDI, thotë se fton opozitës shqiptare edhe atë maqedonase, të zhvillojnë fushatë në pajtim me vlerat evropiane dhe demokratike, ‘pasi çdo gjë kundër, do të thotë largim nga Bashkimi Evropian dhe afrim me Moskën e Putinit’.

“Njëherësh, përshëndesim vendimin e OSBE-ODIHR që zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit t’i përcjellin me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër, pasi vlerësojmë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit - atë “PO Europës, JO Rusisë”, thuhet në njoftim.

BDI, thotë se njëjtë sikurse edhe vitet tjera, do të organizojë zgjedhje të lira, demokratike dhe të pranuara ndërkombëtarisht, ndërsa tentimet e opozitës për të shkaktuar krizë do të marrin përgjigjen e merituar më 8 maj - kur do të vuloset përfundimisht humbja e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat