Pse disa njerëz na lodhin edhe kur i duam shumë?

Lifestyle

Pse disa njerëz na lodhin edhe kur i duam shumë?

Më: 11 tetor 2026 Në ora: 19:27

Mund ta duash dikë shumë dhe, në të njëjtën kohë, të ndiesh një lehtësim të vogël kur anulon planet. Po, e thamë ne për ju, kështu që mos u sikletosni për ta pranuar.

Patjetër që nuk do mend që kjo nuk do të thotë se je shoqe e keqe, partnere e keqe apo se marrëdhënia ka ndonjë problem të fshehtë që duhet analizuar urgjentisht. Mirëpo ka njerëz që i duam, na pëlqen t’i kemi në jetën tonë dhe, megjithatë, pas disa orësh me ta kemi nevojë të shkojmë në shtëpi dhe të mos na flasë askush.

Nëse ke menduar ndonjëherë “Si ka mundësi që e dua kaq shumë këtë njeri dhe prapë më lodh?”, ka disa shpjegime.

Së pari, sepse dashuria dhe energjia sociale janë dy gjëra të ndryshme.

Edhe një bisedë shumë e bukur kërkon vëmendje. Dëgjon, përgjigjesh, reagon, mendon, tregon  histori, kap nuancat e tjetrit. Nëse je me dikë për disa orë, truri yt po përpunon vazhdimisht informacion social. Kështu që mund të kalosh një mbrëmje fantastike me dikë dhe, sapo mbyll derën e shtëpisë, të mendosh: Tani dua të pushoj.

Kjo ndodh zakonisht sepse disa njerëz janë gjithmonë “të karikuar 100%”. Kanë gjithmonë një histori për të treguar, disa personazhe, disa histori të tjera në sfond, tre histori brenda historisë e kështu me radhë. Ose është edhe dikush që çdo plan duhet ta kthejë në event. Pas një kafeje, kërkon që të vazhdoni për darkë, pastaj diku tjetër dhe pastaj: “Po pse do ikësh kaq herët?”

Pra, nëse ritmi yt natyral është 60 dhe i tyre është 120, pas disa orësh do ta ndiesh diferencën.

Së dyti, sepse disa njerëz nuk e njohin heshtjen.

Në disa marrëdhënie ku mund të rrish në të njëjtën dhomë me dikë pa folur dhe të ndihesh shumë mirë, por ka njerëz që e trajtojnë çdo tre sekonda heshtje si emergjencë: Duhet të flitet. Duhet pyetur diçka. Duhet treguar diçka. Nëse muhabeti mbaron, hapet një tjetër. Mirëpo me rrijen kuptojmë se ndonjëherë marrëdhënia e vërtetë ndodh kur mund të mos bësh asgjë me dikë, pa ndier nevojën për të mbushur hapësirën.

Së treti, sepse nuk keni të njëjtën ide për “të kalojmë kohë bashkë”.

Për ty, një pasdite e bukur mund të jetë një kafe, pak muhabet dhe secili vazhdon ditën e vet. Por për dikë tjetër, nëse u takuat në 17:00, praktikisht keni nënshkruar kontratë deri në mesnatë.

Kjo bëhet edhe më e dukshme gjatë pushimeve. Njëri do të jetë me grupin nga mëngjesi deri në darkë. Tjetri do një orë vetëm. Dikush do të shkojë në tre vende. Dikush tjetër do të ulet në një tavolinë, të pijë diçka ngadalë, të marrë telefonin, një libër apo IQOS-in, nëse je përdorues, dhe thjesht të ketë pak kohë për vete. Asnjëri nuk është “gabim”, mirëpo kanë nevoja të ndryshme për stimulim dhe hapësirë.

Së katërti, sepse ndonjëherë bëhesh version tjetër i vetes pranë tyre

Kjo është më pak e dukshme. Ndodh që me disa njerëz pranë ti je plotësisht vetvetja, nuk mendon shumë para se të flasësh, nuk ke nevojë të jesh vazhdimisht funny, interesant apo në humor.

Me disa të tjerë, edhe kur i do, sikur aktivizon një version të caktuar tëndin. Ndoshta je gjithmonë personi që dëgjon problemet, dikush që mban muhabetin gjallë, mund të jesh ai njeriu që qetëson situatat apo të shtiresh sikur gjithccka është mirë.

Dhe të performosh një rol, edhe kur e bën me ose pa vetëdije, të lodh, sidomos kur njerëzit të tregojnë çdo problem, por rrallë të pyesin si je ti. Të gjithë kemi nevojë të ankohemi ndonjëherë. 

Së fundi, sepse disa njerëz e marrin personale nevojën tënde për hapësirë

“Pse do ikësh?”, “Çfarë ke?”, “Je mërzitur?”, “Pse s’po flet?”. Për dikë që “rikarikohet” duke qenë me njerëz, mund të jetë e vështirë të kuptojë se dikush tjetër “rikarikohet” pikërisht duke u larguar prej tyre për pak kohë. Prandaj këtu lind një keqkuptim klasik: njëri kërkon hapësirë, tjetri e interpreton si refuzim dhe e merr personale.

Me fjalë të tjera...

Dashuria nuk të bën imun/e ndaj bezdisjes. Në fakt, njerëzit që duam më shumë shpesh janë pikërisht ata që dinë të na acarojnë më shumë. Atëherë, çfarë bëjmë?

Jo, nuk ke pse të ndërpresësh miqësinë. Ndonjëherë zgjidhja është shumë më pak dramatike: takime më të shkurtra, më shumë hapësirë, më pak detyrim për të bërë çdo gjë bashkë dhe pak më shumë sinqeritet për mënyrën si funksionon secili.

Marrëdhëniet e mira nuk maten me sa orë mund të kaloni pa u ndarë, por maten edhe me faktin që mund të thuash “unë po iki” pa pasur nevojë të shpikësh një dhimbje koke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat