Si ndikojnë kolikat në cilësinë e gjumit të bebes?

Life style

Si ndikojnë kolikat në cilësinë e gjumit të bebes?

Më: 20 maj 2023 Në ora: 07:31
Foto ilustrim

Në më të shumtën e rasteve prindërit mendojnë se shkaktar i të qarave të fëmijës dhe zgjimeve të shpeshta gjatë natës janë kolikat e barkut si edhe gazrat, të cilat e mundojnë atë. Sipas Violet Giannone, konsulente gjumi në Mbretërinë e Bashkuar, kjo nuk është e vërtetë. Shqetësimet e gjumit fëmija në përgjithësi i përjeton për shkak të zakoneve jo të mira që bëhen në momentin që shkon për të fjetur (tundja, pirja e gjirit, marrja në krah etj).

Çfarë i shkakton gazrat?

Është shumë normale që fëmija të ketë gazra, të cilat shkaktohen nga thithja e ajrit gjatë pirjes ose nga mostretja e ushqimit në mënyrën e duhur. Ata do ta kenë të vështirë të nxjerrin jashtë gazrat kjo pasi sistemi i tyre tretës nuk është i maturuar në mënyrën e duhur. Fëmija mund të ketë shqetësime vetëm për disa sekonda dhe më pas me nxjerrjen e gazrave do të qetësohet. Prindërit duhet të dinë se gromësitja mund të kthehet në një problem nëse zgjat më shumë se normalisht.

Gromësitja e tepruar

Shumë prindër e mbajnë shumë gjatë fëmijën për të gromësitur pasi mendojnë se kjo do të jetë më efektive për të nxjerrë ajrin jashtë, pa e ditur se në të vërtetë po bëjnë dicka të gabuar e cila do të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit të fëmijës. Si ndikon kjo? Fëmija fillon të qetësohet duke u mbajtur në krah për 20 minuta apo më shumë dhe fillon të flejë, duke krijuar kështu tek ai një ves të keq gjumi.

Sa duhet të zgjasë gromësitja e fëmijës?

Të porsalindurit e kanë mjaftueshëm 5 minuta, por nëse e shikoni se pas 20 minutave fëmija ka siklet mund ta ngrini edhe për 5 minuta të tjera. E “godisni” lehtë në kurriz për të nxjerrë ajrin e tepërt.

Kolikat dhe refluksi: një realitet ndryshe

Gazrat nuk duhet të ngatërrohen me kolikat dhe refluksin gastro-ezofageal. Fëmijët që kanë kolika qajnë për shumë orë me rradhë dhe në mënyrë të pangushëllueshme. Gazrat nuk shkaktojnë kolika, edhe pse fëmijët që vuajnë nga kolikat nxjerrin gazra duke qënë se thithin ajër gjatë të qarave. Nëse fëmija ka gazra do të ketë shqëtësime dhe gjendje irritimi për disa minuta derisa ajri të dalë jashtë dhe më pas gjithçka do të normalizohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat