20 vjet nga rënia e dëshmorit të kombit, Nexhat Fanaj që la Zvicrën dhe erdhi në luftë

Lajme

20 vjet nga rënia e dëshmorit të kombit, Nexhat Fanaj që la Zvicrën dhe erdhi në luftë

Nga: Haki Latifi Më: 31 korrik 2018 Në ora: 08:24
Nexhat Fanaj

Më 28 korrik,  u bënë 20 vjet nga vdekja e luftëtarit të lirisë, dëshmorit të kombit, Nexhat Fanaj, i cili ishte një ndër trimat e parë që iu bashkëngjit njësive të UÇK-ës në fillim të vitit 1998.

Kur ra kushtrimi për liri, ishte ndër tê parët që iu përgjegj thirrjes së atdheut, pasi që gjaku i dëshmorëve të Kombit, siq ishte bashkëveprimtari, dëshmori Nexhat Fanaj, është themeli i Pavarësisë së Kosovës dhe vepra e tyre udhërrëfyes për gjeneratën e shtet ndërtimit. 

Dëshmorët, siç dihet botërisht,  janë bazament i lirisë. Ata nuk lotohen, por këndohen dhe përkujtohen.

Ata, janë emra dhe titull përjetësie, vlerë hyjnore e kombit, pasuri e çmuar kombëtare, janë virtytet, nderimi dhe mirënjohja e idealit të ndërgjegjes së një kombi të lashtë sa toka! Ata dhanë jetën e tyre në emër të misionit “Çlirimin e Vendit”, ku për Liri dhanë gjithçka që patën prandaj meritojnë nderim dhe respekt.

Djaloshi nga Kobaj i Rajonit të Vërrinit, dëshmori Nexhat Fanaj, me kohë e kishte kuptuar se liria është më e shtrënjtë se jeta.

Gjithmonë kishte dëshirë të identifikohej me heronjtë që luftonin për drejtësi, për liri dhe paqe.

Për sa kohë sa jetoi dhe punoi në Zvicër, asnjëherë nuk pushoi së vepruari për çështjen kombëtare. Nuk kishte protestë a demonstratë që organizohej atje e ku ai të mos të gjendej në radhët e para. 

Nexhat Fanaj ishte aktiv edhe në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër ku për një kohë ju besua edhe funksioni i Nënkryetarit të Nëndegës së LDK-së në Vilisau (Wilisau/LU), pozitë kjo, i cili e ushtoj me përgjegjësi deri sa ju përgjigj kushtrimit për Liri. 

Ai, Ishte anëtar i grupit të logjistikës në të cilën furnizuan Ministrin e Mbrojtjës së FARK-ut të udhëhequr nga Ministri i mbrojtjës Kolonel Ahmet Krasniqi. Pas takimit që pati në Tiranë me Ministrin Ahmet Krasniqi dhe komandant Salih Çekaj, morri detyra të rëndësishme për luftën në regjionin e Prizrenit.

Siq dihet, lufta e fundit për lirinë e Kosovës mobilizoi mbarë Diasporën për t’u dalë në krah vëllezërve e motrave në atdheun tonë, popullit që i kishte zënë frymën pushteti serb. Mijëra djem e vajza nga diaspora iu përgjigjen kësaj thirrje. Një pjesë e madhe e atyre që shkuan për të luftuar për lirinë e Kosovës nuk u kthyen më në luksin e Zvicrës, ata u bënë gurë atdheu.

Edhe familja e Nexhatit si shumë familje shqiptare në Zvicër, dhanë një kontribut të çmuar kombëtar, duke ndihmuar edhe me forma të tjera, duke i kryer të gjitha obligimet materiale që kërkoheshin në atë kohë nga mërgimtarët.

Unë pata fatin ta njohë Nexhatin përmes lidhjeve miqësore familjare, pastaj si bashkëveprimtar, por, njohja më jetëgjate dhe që nuk vdes kurrë me Dëshmorin Nexhat Fanaj ishte përmes aktit të tij heroik.

Ai erdhi nga Zvicra në Kosovë për ti dal zot vendit, përpjekja dhe gjaku i tij nuk mund të harrohen. Disa prej shokëve të tij kanë në trup plagët e luftës, të tjerë plagët i kanë të padukshme, por dhimbjen e kanë të vërtetë.

Më 28 korrik 1998, duke u kthyer nga Shqipëria, një grup prej 63 luftëtarëve që kishin qenë për armatim, bie në pritë të forcave serbe dhe, në luftimet e ashpra që u zhvilluan atëkohë në fshatin Buçe dhe mbi fshatin Brezne (krahina e Opojës) bien heroikisht dy ushtarët e UÇK-së, Beamir Memaj dhe Nexhat Fanaj.

Por, tani shtohet pyetja: Vallë, a kemi bërë sa duhet për ata që dhanë jetën për LIRI?!!!

Sigurisht, jo! Ata meritojnë më shumë. Dëshmori më së miri mund të nderohet në këtë botë nëse emanetin e tij e çojmë në vend, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!

Lirinë sot po e shijojmë, ani pse të pjesërishme dhe jo bash atë liri për të cilën Nexhat Fanaj dhe bashkëluftëtarët e tij luftuan që ta arrijnë. 

Gjaku i tij dhe i dëshmorëve të tjerë bënë që në brigjet e Pashtrikut, Koritnikut, Bjeshkëve të Nemura, Karadakut e gjithandej Kosovës të çelin mijëra lule që paralajmëruan një pranverë të re. Një pranverë çfar e kishin ënderruar breza të tërë gjatë shekujve. Trupi i tij sot prehet në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. 

Lavdi Dëshmorit të Kombit Nexhat Fanaj! 

Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit kurdo dhe kudo që kanë rënë për lirinë e atdheut! 

Piranë, 31 korrik 2018

Haki Latifi.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat